Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do të vijojë sërish sot, për të tretën ditë me radhë t’u përgjigjet pyetjeve të prokurorëve specialë në Hagë.
Seanca e sotme pritet të nisë rreth orës 13.00.
Dy seancat, të hënën dhe të martën ku Thaçi u intervistua nga prokurorët në Hagë zgjatën për rreth gjashtë orë.
Pas daljes nga Gjykata, presidenti nuk u prononcua për mediat, ndryshe nga ç’kishte ndodhur pas seancës së ditës së hënë.
Para nisjes së seancave, presidenti Thaçi shprehu bindjen se nga kjo sfidë do të dalë i suksesshëm, ndërsa aktakuzën për krime lufte e cilësoi si “çmim për lirinë”.
Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi se më 24 prill ka bërë një propozim-aktakuzë për krime të supozuara lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë./atsh