Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, deklaroi sot se “ne pretendojmë të kemi një sezon turistik të suksesshëm , por e gjithë kjo ka një varësi të fortë nga ajo që ka përgjunjur njerëzimin COVID-19”.
Në një intervistë televizive, kryetari Leli tha se “situata në të cilën ndodhemi na bën të mendohemi të jemi skeptikë, të mendohemi më shumë për të lëvizur dhe absolutisht është e justifkikuar dhe e pritshme pavarësisht përpjekjeve të mëdha që ne jemi duke bërë bashkë me operatorët turistikë në të gjithë territorin e bashkisë së Vlorës, por jo vetëm në Vlorë, në të gjithë Shqipërinë janë duke u përpjekur të sjellin fluks turistësh në qytet”.
“Situata që kemi kaluar , apo që po përjetojmë akoma janë ato ngërçet tek njerëzit që bëjnë më pak skeptikë për të ndërmarrë udhëtime”, – tha Leli.
Duke folur për turizmin, Leli tha se “plazhet në qytetin bregdetar në fundjavë kanë qenë e të populluara, qyteti plot, hotelet kanë një rritje të numrit e të pronotimeve dhe shpresoj se përmirësimi i kushteve atmosferike do të sjellë më shumë vizitorë”.
Më tej ai tha se “qytetarët e Vlorës e duan cilësinë e jetës, infrastrukturën që ju shërben. 450 biznese të reja janë hapur vetëm në Lungomare. Këtu ka pasur situata vetëm të ndërtonin objekte sot ka shumë ndërtues që lejet për pallate duan t’i kthejnë në hotele për t’ju shërbyer qytetarëve. Kemi arritur në një situatë shumë pozitive ku më shumë leje i japim për hotele dhe jo për pallate”.
Lidhur me vendosjen e çadrave në plazhe, Leli tha se “midis hapësirës me çadra ka pjesë pa çadra, janë për banorët që të dalin si turistë të lirë pa pasur nevojë të paguajnë për një çadër. Kjo ka ndodhur brenda të gjithë vijës bregdetare”.
Kryebashkiaku Leli bëri të ditur se “nga zona e tunelit në drejtim të Orikumit do kemi një tjetër projekt, ku do të bëhet rikonstruksion total, do ketë 2 bypass-e që të devijohet trafiku. Do bëhet një shëtitore jo si Lungomare, por me një standard shumë të mire”.
Ai u shpreh se me rikonstruksionin e bulevardit “Ismail Qemali”, Vlora është bërë edhe një atraksion historik.
“Bulevardi Ismail Qemali është rikonstruktuar. Kur isha në Kosovë thashë të ftoj ata që e ndjejnë dhe duan të vijnë në një vend që ka shumë histori. Dhe pastaj të shkosh tek rruga historike ku kaloi Ismail Qemali kaloi tek shtëpia e Marigosë që qëndisi flamurin është diçka e papërsëritshme”, – tha Leli.
Kryebashkiaku Leli tha se “kemi shumë për të bërë, por në sezonin turistik na takon të promovojmë më tepër vlerat të tregojmë anët pozitive, se po të shikojmë problematikat janë aty dhe do vazhdojnë të zgjidhen. Por duhet të ketë një klimë pozitive për të bërë më tepër ekonomi”.
“Qasja pozitive nuk është vetëm politike, por është strategjike për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit në Shqipëri Vlora është nga ato potencialet turistike më të rëndësishme qe ne kemi në gjithë territorin e vijës bregdetare dhe çdo investim ka justifikuar shpenzimin e parave publike për të shndërruar Vlorën në destinacionin turistik elitar në vitet që do të vijnë”, – tha Leli. //atsh