Loading...

Sezon turistik të sigurt/ Nga Velipoja në Butrint vijon dezinsektimi i zonave bregdetare

Nga Velipoja në Butrint vijon dezinsektimi i zonave bregdetare për një sezon turistik të sigurt.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot një video me pamje nga procesi i dezinsektimit në zonat turistike.

“Programi kombëtar i dezinsektimit nuk është ndalur që prej muajit maj dhe do të vijojë në të gjithë zonat e nxehta të paracaktuara nga ekspertët e shëndetit publik deri në muajin tetor”, – tha Rama.

Sipas tij, ky proces ka një rëndësi të veçantë për shëndetin e qytetarëve, për uljen e transmetimit të sëmundjeve infektive dhe shqetësimet nga pickimet dhe reaksionet alergjike.

“Procesi i dezinsektimit është në vitin e tij të gjashtë. Ky proces përfshin zona që janë potenciale për zhvillimin e lavrave të mushkonjave, duke filluar nga Shkodra deri në parkun Kombëtar të Butrintit. Ky program bazohet në kontrollin larvitiv që do të thotë ne synojmë luftimin e lavrave të mushkonjës gjatë ciklit të zhvillimit të tyre ujor”, – tha Enkelejda Dikolli, entomologe, Përgjegjëse e Sektorit të Kontrollit të Vektorëve, Departamenti i Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në ISHP.

Dikolli tha se “jemi në përfundim të trajtimit të katërt në të gjitha zonat e përfshira në procesin e dezinsktimit dhe parashikojmë të trajtojmë deri në 12 trajtime për secilën zonë deri në mes të muajit tetor”.

“E gjithë kjo po bëhet për të patur një sezon turistik të sigurt dhe për të rritur cilësinë e jetës në vendin tonë”, – tha specialistja e ISHP-së

Shërbimi i dezinsektimit parashikohet të vazhdojë deri në datë 20 tetor 2020 dhe sipërfaqet e trajtuara janë vatra pozitive për praninë e larvave të mushkonjave në zona urbane, në ligatina, parqe kombëtare dhe publike, kanale, moçale, puseta, bodrume, gropa septike etj. Në parqet kombëtare është rekomanduar përdorimi i agjenteve biologjik, si e vetmja alternative për kontrollin e mushkonjave dhe ruajtjen e biodiversitetit në këto habitate.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nëpërmjet Institutit të Shëndetit Publik dhe njësive vendore të kujdesit shëndetësor po përmbushin në kohë këtë proces, për të reduktuar praninë e mushkonjave gjatë sezonit turistik dhe për të ruajtur shëndetin e popullatës nga sëmundjet infektive në këtë situatë të epidemisë. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com