Loading...

Reforma Zgjedhore, Spiropali: Gati t’i diskutojmë dhe votojmë listat e hapura, tani të flasë masha-Basha

Mazhoranca parlamentare është pro listave të hapura dhe ndryshimeve të tjera kushtetuese në kuadër të procesit të reformës zgjedhore.

Elisa Spiropali, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me parlamentin, zëdhënëse e Qeverisë tha sot gjatë fjalës së saj në kuvend, se mazhoranca socialiste është pro listave të hapura, kërkesë e opozitës parlamentare, por që kjo të kthehet në realitet duhet të diskutohet, të gjendet kompromisi dhe të votohet patjetër në Kuvend.

Duke iu referuar negociatave për Reformën Zgjedhore, Spiropali tha se “Nëse do kishte kampionat botëror të kapacitetit për të duruar, kjo mazhorancë do dilte padyshim kampione botërore. Në të gjitha parametrat, ne do të fitonim medalje në vend të parë, sepse nga ne kërkohet jo vetëm ajo, po huazoj gjuhën popullore, çfarë uji i dhe gomarit, dhe a e piu gomari ujin? Pra, ne jemi përgjegjës për gjithçka, dhe të gjitha nga fillimi në fund, nga lloji marrëveshjes te marrëveshja, gjithçka na kërkohet neve”,- tha Spiropali.

Ministrja Spiropali, theksoi se liderët e partive të vogla nuk mund të flasin për zgjedhje të lira e të ndershme kur janë të parët që deformojnë vullnetin e qytetarëve duke u kontrabanduar në listat e partive të mëdha.

“Dhe nuk e thashë kot këtë të gomarit, por para pak ditësh, po dëgjoja disa nga reagimet e atyre që më shumë pëllasin sesa flasin. Ishte besoj një lider i një partie të vogël, që pretendonte se ajo marrëveshje e arritur jashtë, nuk votohej këtu brenda ashtu siç e kishte menduar ai, do dilnin nga zgjedhjet, do bojkotonin procesin dhe shpallnin revolucionin nga fillimi. Një lider e disa të tjerë partish të vogla, që janë kontrabanduar në listat e partive të mëdha, kryesisht Partisë Demokratike, për të shmangur një kusht kushtetues, pragun. Pra kanë deformuar vullnetin e zgjedhësve për vite të tëra dhe vijnë këtu tani, e pretendojnë të respektohet një marrëveshje që është bërë mes forcave politike dhe është nënshkruar nga disa njerëz të nderuar”, u shpreh Spiropali.

“Duhet të diskutohet nga komisionet tona dhe më pas të marrë vulën e ligjvënësit. Revolucionin le ta bëjë ai zotëria, por mirë do ishte të futej në listat e partisë së tij, e t’i marrë votat duke respektuar pragun dhe më pas të shohim se sa i vlen lëkura politike”,- tha ministrja Spiropali.

Duke iu referuar drejtuesve të partive të mesme dhe të mëdha opozitare, Spiropali u shpreh se, asnjë forcë politike nuk mund të pretendojë që Partia Socialiste t’u japë gjithçka që kërkojnë në Reformën Zgjedhore, pasi edhe Partia Socialiste ka interesin e saj politik.

“E dyta, këta drejtuesit e partive të mesme dhe të mëdha të opozitës që na kërcënojnë publikisht me fjalorin që e kanë për zakon, që është çështje e rritjes dhe formimit politik të tyre, ku pretendojnë që ne t’iu japim gjithçka që duan, që ne vetë të mos kemi as qasje, as mendim tonin, as interesa, as dialog me parlamentin, e as mos të vijmë këtu për ta votuar, por të respektojmë ata që ikën me vrap nga proceset parlamentare e zgjedhore e presin të jemi ushtarë të bindur të një çete të shpartalluar që është aty jashtë”,- tha Spiropali.

Duke iu drejtuar opozitës parlamentare, Spiropali tha se termat diktator apo sulltanat nuk i shkojnë përshtat kësaj mazhorance, e cila është ulur për të negociuar në çdo tryezë të reformës zgjedhore, duke dëgjuar e dialoguar me të gjitha palët.

“Dhe me ju kemi disa rezerva. Na drejtoheni me terma, si sulltanat, diktator, gjakpirës. Keni parë ndonjë diktator apo tiran në botë të mundohet t’i ulë të gjitha palët, që të gjejë marrëveshje me të gjitha palët dhe më pas të vijë në Kuvend për ta votuar. E më pas t’ju thotë, po ju si e doni, të pjekur apo gjysëm të pjekur, s’ka diktator të tillë, apo tiranë të këtij lloji dhe nuk ka forcë politike që pranon gjithçka që i propozohen në tryezë”, u shpreh ajo.

Ministrja Spiropali sfidoi opozitën jashtë kuvendit për listat e hapura.

“Qershia mbi këtë tortë janë ata të shoqërisë civile, ata që kanë bërtitur për listat e hapura, që nuk i pranon diktatori, nuk i duan rilindasit. Ja ku janë rilindasit dhe po thonë, po janë gati t’i diskutojnë dhe votojnë listat e hapura. Ku janë këta, e kishin seriozisht që donin t’i jepnin qytetarëve shqiptarë të drejtën për të zgjedhur përveç partisë e liderit edhe emrat e përveçëm? Apo ishin disa masha të masha-Bashës, që është vetë një mashë, që thjesht shprehin aty interesat e përkohshëm të interesave politike. Tani të përgjigjet masha-Basha për lista të hapura siç i ka kërkuar bashkë me Monika Kryemadhin, ne jemi të hapur për listat e hapura dhe për gjithçka tjetër, por ne do votojmë një marrëveshje të negociuar dhe të votuar në Kuvendin e Shqipërisë, por jo në rrugë”,- tha duke mbyllur fjalën e saj, ministrja Spiropali. //atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com