Loading...

Reforma Zgjedhore/ Kim: Marrëveshja e 5 qershorit duhet të kalojë siç është

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim deklaroi sot gjatë një interviste televizive se, “marrëveshja e 5 qershorit duhet të kalojë siç është, pasi nuk mund të hapet përsëri”.

E pyetur se çfarë mendon se do të ndodhë me Reformën Zgjedhore, ambasadorja Kim tha se, “është e ndërlikuar, sepse mendoj, opozita që është jashtë parlamentit bëri një gabim. Nuk duhet të kishin ikur. Thënë kjo, ata fituan shumë vota në zgjedhjet e fundit, pra qartësisht përfaqësojnë një pjesë domethënëse të popullsisë. Pra duhet të jenë pjesë e diskutimit, ndaj mendoj se ishte diçka shumë e mirë që u kthyen në tryezë për të negociuar çështjen e Reformës Zgjedhore. Në të njëjtën kohë, opozita që qëndroi në parlament bëri saktësisht gjënë e duhur. Në një kuptim, ata shpëtuan demokracinë shqiptare. Dhe sigurisht, shumica është shumica. Ajo që di është se më 5 qershor, palët ranë dakord dhe, me sa di, kanë hartuar ligjet që kodifikojnë marrëveshjen që arritën dhe kjo është diçka e mirë. Pritshmëria ime është që do ta ruajnë atë. Është e patjetërsueshme”.

“5 qershori duhet të kalojë siç është. Nuk mund të hapet përsëri. Nuk mund ta bësh, sepse do të ishte shkelje e shumë besimi të vënë. Dhe mendoj që nëse jep fjalën, si politikan, si diplomat, nëse nuk e mban fjalën, nuk ke asgjë. Ndaj pritshmëria ime është që udhëheqësit këtu do të bëjnë pikërisht atë që më thanë se do të bënin, që është miratimi i 5 qershorit. Tani, e di po ashtu që për shumë njerëz, 5 qershori nuk mjafton”, u shpreh Kim.

“Kur njerëzit flasin për ndryshim dhe Reformën Zgjedhore, duan sistemin e hapur. Dhe unë e kuptoj këtë, por siç e kam thënë më parë, e dini, synimi ynë i menjëhershëm është shumë specifik. Është që të sigurohet që Shqipëria të hyjë në BE. Pjesa tjetër, nëse mund të arrihet një marrëveshje, mrekulli. Të bëhet. Por ajo që nuk duam është një situatë pengmarrjeje kur diçka që është ekstra mban peng diçka që është e nevojshme. Nuk mund të jetë dhe nuk mund ta mbështes këtë”, tha Kim.

Mbi procesin e integrimit europian, Kim tha se, “mendoj se është një projekt historik dhe përgëzoj popullin shqiptar dhe qeverinë shqiptare që kanë arritur në këtë pikë në histori. Do të ndryshojë të ardhmen e Shqipërisë dhe po i thoja Luigi Soreca-s, ambasadorit të BE-së, se ne jemi miqtë e Shqipërisë për 100 vitet e fundit dhe duhet të shtoni BE-në si një tjetër mik për 100 vitet e ardhshme. E di që flasim për atë që mund të fitohet nga procesi. Nuk është vetëm çfarë fitohet, por në fakt, ajo që duhet bërë. Dhe kjo do të kërkojë që qeveria shqiptare dhe populli shqiptar dhe udhëheqësit politikë shqiptarë, avokatë, gjyqtarë, prokurorë të bashkojnë forcat për ta bërë Reformën në Drejtësi realitet. Është e vështirë. E di që jo të gjithë e duan. Jo të gjithë duan të gjitha pjesët e saj, por është vërtet e nevojshme dhe shumica dërrmuese e popullit shqiptar e do dëshpërimisht. Tjetra që di është që biznesi amerikan, me të cilët flas, e do dëshpërimisht. Askush nuk do të investojë në Shqipëri nëse nuk kanë ndjesinë se kontratat do të zbatohen, që nëse ka një mosmarrëveshje dhe nëse shkojnë në gjykatë, do të marrin një gjykim transparent dhe të ndershëm”.

E pyetur sesi situata mund të ndryshojë, Kim theksoi se, “reforma në Drejtësi. Reforma në Drejtësi. Vetingu. Gjyqtarët që janë qartësisht të korruptuar duhet të dalin që aty. Nuk duhet të ulen në ato salla gjyqi. Nuk duhet të marrin vendime për asgjë. Duhet të jenë jashtë që aty”.

E pyetur nëse do të kemi një Gjykatë Kushtetuese të pavarur Kim tha se, “mendoj që nëse e doni dhe luftoni për të, dhe i kushtoni pak kohë dhe përpjekje, po, e besoj. Mendoj që ajo që nuk ka për të ndodhur është një proces i menjëhershëm. Nuk ndodh. Nuk është që papritur, do keni një sistem gjykatash 100% të përsosur. Nëse prisni këtë, do të zhgënjeheni. Ajo që do të ndodhë është që do të shihni përparim, pastaj do të shihni diçka të tmerrshme, pastaj përparim përsëri. Siç e thashë, është si të shohësh baticën dhe zbaticën. Nuk është një proces i thjeshtë, i qartë linear”.

Sa i përket mosrealizimit të takimit Kosovë-Serbi në SHBA, ambasadorja Kim shprehet se gjërat ndodhin ndaj le të shohim ç’do të ndodhë në javët dhe muajt e ardhshëm.

E pyetur nëse Shtetet e Bashkuara e kanë humbur disi fokusin tek rajoni, ambasadorja Kim tha se, “ka një fokusim të ripërtëritur tek Ballkani Perëndimor dhe se çfarë do të thotë të kemi një prani të SHBA këtu. Dhe mendoj se do shihni që kjo do të vazhdojë. Nuk është rastësi që kemi disa persona të fuqishëm të përqendruar tek Ballkani Perëndimor, përfshi Matt Palmer dhe Rick Grenell. Dhe do të vini re që ambasadori Grenell u largua nga pothuajse gjithçka, përveç çështjes së Ballkanit, dhe mendoj se kjo flet për rëndësinë që ne i japim”.

E pyetur se sa e rëndësishme është Shqipëria kur vjen fjala tek pikëpamja ushtarake, për Shtetet e Bashkuara, ambasadorja Kim tha se, “mendoj që për ne, është shumë e rëndësishme. Secili aleat me të cilin jemi krah për krah në NATO është i rëndësishëm. Për Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë e shumë miliona dollarë, tek marrëdhënia dhe tek përpjekja për të përmirësuar kapacitetet e Shqipërisë si aleate. Mendojmë se janë para të shpenzuara mirë. Kur shohim kontributet e ushtrisë shqiptare, të forcave Shqiptare, madje duke përfshirë edhe sakrificën e jetës hera-herës, jemi krenarë të jemi aleatët tuaj. Mendoj se deri tani, kemi ofruar mbi 180 milionë dollarë në asistencë për mbrojtjen, vetëm në pak vitet e fundit”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com