Pas situatës që sa vjen e agravon me virusin Covid-19 në vendin tonë qeveria është detyruar që të bëjë disa ndryshime të tjera në aktin e fundit normative. Kështu pasi u pa që ajo “puna e mbylljes së muzikës pas orës 20.00” nuk pati asnjë efekt është vendosur që Pube-t, diskot dhe gjithë lokalet e natës të mbyllen fare.
Lajmin e ka dhënë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu sot në sallën e parlamentit.
Sipas saj, është vërejtur që kryesisht të rinjtë që i frekuentonin ato janë bërë vektor i përhapjes së virusit.
“Ndryshimet dhe shtesat në aktin normativ sa i përket periudhës së pandemisë vijnë pasi duam të vendosim detyrimin për diskot, klubet e natës që kanë pasur detyrim që në krye të herës që të mos hapen. Është vënë re që jo të gjithë e kanë zbatuar urdhrin, duke u kthyer në vatra infeksioni. Detyrimi tani çon deri në pezullim aktiviteti 1 vjeçar kur këto subjekte nuk i binden asnjë ligji. Masat që po marrim, akti normativ, qoftë akti normativ që miratuam të enjten e shkuar për maska të detyrueshme në ambiente të mbyllura vendosen jo për të vënë gjoba, por për të parandaluar përhapjen e Covid 19.
Të rinjtë apo frekuentuesit e këtyre vendeve janë etiketuar si vektori i shpërndarjes së infeksionit te moshat e tjera. Vendosja e këtij akti vjen në kohën e duhur për të forcuar zbatimin e masave Covid 19.
Po punojmë me intensitet, po përgatitemi për vjeshtën por nëse do kemi neglizhim të masave duhet të përgatitemi për rritje të infeksionit Covid 19”, tha Manastirliu.