Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se çdo pikë e e kërkuar nga Partia Demokratike do të respektohet, por shtoi ai PD nuk ka ekskluzivitet mbi parlamentin.
Në një konferencë për mediat, Rama u shpreh se, “çdo pikë e kërkuar nga Partia Demokratike do të respektohet dhe është sot miratuar nga ana jonë, shpresoj që ta gjejmë konsensusin dhe me palën tjetër deri në fund, pjesa e Kodit Zgjedhor. PD nuk ka ekskluzivitet mbi parlamentin, të cilin e ka braktisur mes të tjerash, që të thotë asgjë tjetër përveç asaj që më pëlqen mua. Kjo s’ekziston, është absurditet ta kërkosh”, tha Rama.
Sa i përket deklaratave të kreut të PD, Lulzim Basha në takimin me Presidentin Meta, Rama u shpreh se, “nëse Lulzim Basha mendon që marrëveshja është hedhur në kosh dhe nëse ai vërtetë nuk e do më marrëveshjen ka një mënyrë shumë të thjeshtë për të provuar që marrëveshja ekziston. Ta heqim. Ta heqim. Të depolitizojmë administratën zgjedhore. Të bëjmë edhe 2-3 ndryshime të tjera që ne i donim, ata s’i donin dhe unë mendoj që do t’i bënin mirë vendit, do t’i bënin mirë zgjedhjeve”.
Natyrisht, u shpreh Rama, “e them këtë për të kuptuar të gjithë që në fakt e kundërta është e vërtetë. Marrëveshja është aty dhe ne do ta mbështesim deri në fund. Dhe do të bëjmë çmos që ajo të votohet me konsensus edhe nga opozita parlamentare, e cila për fat të keq ka huqet e shtëpisë ku është rritur. Se ata janë rritur në atë shtëpi politike në PD. Kuptohet edhe me ata që vijnë nga kioskat përreth shtëpisë. Është një huq i keq. Të gjitha kështu siç them unë. Po jo sepse nuk je vetëm janë dhe të tjerë. Nuk jemi as dy palë, jemi tre palë”.
“Po kjo Partia Socialiste ka ndonjë të drejtë kjo apo kjo Partia Socialiste është këtu vetëm për t’i dhënë pëlqimin absolut ekskluzive vetëm një pale. Ku është parë kjo. Ne jemi të vetëdijshëm që duhet të lëshojmë më shumë se të tjerët, jo se e kemi për detyrë”, theksoi Rama.
“Në Europën ku ne duam të integrohemi reformat elektorale bëhen me shumica të thjeshta. E dini këtë. E dini ju që Italia reformën elektorale e bën me shumicë të thjeshtë. Ka bërë nuk e di sesa reforma deri tani. E dini ju që Greqia ndryshoi sistemin elektoral. Ne nuk kemi ndryshuar sistemin sepse ne nuk kemi kaluar nga sistemi proporcional rajonal në mazhoritar apo në kombëtar. Mazhoritarin e propagandonte Lulzim Basha. Kombëtarin e donin kolegët që kemi në parlament. Sistemi është po ai. Sistem rajonal proporcional. Greqia ndryshoi sistemin. Hoqi mekanizmin që garanton partinë e parë të ketë shumicën për të pasur stabilitet qeverisës gjë që e vunë shumë kohë më parë në Greqi si rezultat i pikërisht këtyre zhurmave dhe paqëndrueshmërive që krijoheshin nga kaosi i shumë partive. E bëri. Doni shembuj të tjerë”, tha Rama.
Pra, shtoi kryeministri Rama, “nga pikëpamja politike sigurisht që do isha i lumtur sikur të gjithë të binim dakord për të gjitha edhe ne edhe opozita jashtë parlamentit, edhe opozita në parlament, por kjo nuk është e mundur. Dhe në politikë ka një rregull, kush gabon, paguan. Ikën nga parlamenti. Po të ishin në parlament, do kishin jo vetëm fjalën, por do të kishin edhe votën. S’e kanë, e kanë disa të tjerë votën të cilët në parlament nuk i kam sjellë unë, nuk i ka sjellë as ndonjë makineri autokratike. I ka sjellë me firmën e vet Lulzim Basha dhe drejtuesit e tjerë. Kështu që çfarë flasim këtu. Do të rrijë Shqipëria peng në momentin kur ka një oportunitet për të bërë një hapje më të madhe të sistemit dhe për t’i dhënë njerëzve mundësinë që të votojnë deputetin se nuk do grupi i partive që kanë ikur nga parlamenti. Po kjo nuk bën vaki askund. Unë i mirëkuptoj të gjithë, por sigurisht të gjithë duhet të më mirëkuptojnë dhe mua edhe ne”. /atsh