Loading...

“Në fillim të gushtit mund të arrihet maja e kurbës së infektimeve”/ Brataj: Shumëçka varet nga ndërgjegjësimi për mbajtjen e maskës dhe distancës sociale

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj tha për një nga mediet e vendit se në fillim të muajit gusht do të ketë një rritje të rasteve pozitivë me koronavirus.

Brataj tha se rritja e numrit të të prekurve varet edhe nga vetë qytetarët, të cilët sipas tij duhet të ndërgjegjësohen akoma më shumë për rrezikun që u kanoset.

“Nuk është piku akoma ky që po shohim tani. Në fillim të gushtit si të thuash, mund të mendojmë për një rritje numrash ose për majën e kurbës që mund të thuhet, për arsye të lirimit të të gjithë masave dhe transportit publik që s’ka as 10 ditë që është hapur dhe kuptohet që i do 3-4 javët e veta, faza e shpërndarjes së infeksionit, inkubacioni dhe shfaqja e sëmundjes, shenjave e simptomave. Pastaj sesi do të vazhdojë piku, kjo varet nga ne sesa do të ndërgjegjësohemi akoma në këtë situatë”, tha Brataj.

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore u shpreh se situata në vendin tonë nuk do të jetë e ngjashme me atë të Italisë, për shkak edhe të shumë faktorëve që nga njohja e sëmundjes tanimë e deri në prodhimin e vaksinave të para. “Që nga dendësia e popullsisë, mosha e popullsisë, njohja e sëmundjes që nga protokollet e mjekimit dhe që nga ajo që po shpresojmë të gjithë që mendoj janë gati dy vaksinat e para që janë në prodhim, sepse janë bërë provat shkencore edhe tek humanët të cilat kanë dhënë rezultate pozitive”, u shpreh Brataj.

Brataj tha se përdorimi i maskës sipas studimeve shkencore mbron nga 65 deri në 70% nga marrja e këtij infeksioni.

“Nëse për dy muaj i gjithë njerëzimi do të mbante maska, do të zhdukej virusi. Kështu që, rëndësia e maskës është shumë e rëndësishme. Studimet e tjera na kanë treguar se arrihet nga 65-70% të uljes së infeksionit vetëm nga përdorimi i maskës”, u shpreh Brataj. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com