Është ndarë nga jeta Regis Philbin, personaliteti i njohur i televizionit amerikan me origjinë arbëreshe. Familja e tij tha në një deklaratë se Philbin vdiq nga shkaqe natyrore në moshën 88 vjeçare.
Për dekada me radhë, Regis Philbin e ndau jetën e tij me shikuesit e programeve televizive të mëngjesit, gjithnjë me mënyrën e tij të shpenguar dhe me filxhanin e kafes përpara.
Ai do të mbahet mend gjithashtu për programin “Kush dëshiron të bëhet milioner”, i cili për një periudhë të shkurtër u bë spektakli më i shikuar televiziv i Amerikës.
Pyetja e tij për pjesëmarrësit: A është kjo përgjigjja juaj e fundit?” nisi të bëhej një shprehje e përdorur nga amerikanët në jetën e përditshme.
Në vitin 2010, Regis Philbin shpalli publikisht rrënjët e tij shqiptare në një bisedë në studio me artisten Kara Dioguardi, e cila gjithashtu vjen nga një familje arbëreshe.
“Nga ana e nënës sime, ata e kanë origjinën në Shqipëri. U detyruan të largohen nga vendi, kaluan Adriatikun për në Itali dhe u vendosën në një fshat të vogël malor të quajtur Greçi. Kjo ka ndodhur shekuj më parë,” tha Philbin.
Ai tregoi për shikuesit një tabelë gjenealogjike ku dilnin rrënjët arbëreshe të familjes së tij që u vendos në atë fshat në kohën e Skënderbeut.
Philbin është fitues i çmimit të karrierës Emmy dhe deri në kohën kur u largua nga programi i tij i mëngjesit mbante rekordin botëror Guinness për numrin më të madh të orëve përpara kamerës televizive.
Presidenti Trump e quajti zotin Philbin njërin ndër të mëdhenjtë në historinë e televizionit. Ai tha në një koment në Twitter se zoti Philbin e kishte këshilluar atë vazhdimisht që të kandidonte për president./Voa