Është zhvilluar sot ceremonia e shpërndarjes së diplomave për pjesëmarrësit në edicionin e dytë të Akademisë së Arbitrimit. 81 arbitra të rinj, nga të cilët 12 janë vajza, u diplomuan në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e stadiumit “Air Albania”.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, Presidenti i Shoqatës së Arbitrave Shqiptarë të Futbollit, Tahir Kastrati si dhe Shefi i Sektorit të Arbitrimit në FSHF, Sokol Jareci, i cili është njëkohësisht edhe koordinatori i këtij projekti.
Edicioni i dytë i Akademisë së Arbitrimit nisi në tetor 2019 dhe ishte i ndarë në dy faza trajnuese në teori dhe praktikë. Arbitrat e rinj u trajnuan në lidhje me rregullat e lojës, përgatitjes fizike, psikologjisë sportive, komunikimit, mjekësisë si edhe gjuhës angleze.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Shulku, vlerësoi angazhimin e të rinjve, e veçanërisht të vajzave, në sektorin e arbitrimit, duke inkurajuar që sa më shumë prej tyre të bëhen pjesë e futbollit. “Unë do t’ju uroja të gjithëve për iniciativën që ju keni marrë për t’u bërë arbitra të futbollit. Një nismë shumë e mirë, angazhimi në sport dhe konkretisht jeni profilizuar te një sektor shumë i rëndësishëm, arbitrimi i ndeshjeve. Më bëhet shumë qejfi që shoh angazhimin e shumë vajzave në sektorin e arbitrimit. FSHF e ka në prioritet futbollin e femrave dhe angazhimin e tyre në futboll po ashtu dhe angazhimin e femrave në gjykimin e ndeshjeve. Unë shpresoj shumë që sa më shumë nga ju të bëhen së shpejti pjesë e rëndësishme e gjykimit shqiptar, por pse jo edhe atij ndërkombëtar. Kështu që duhet punë, përkushtim dhe padiskutim që kjo ka edhe shumë sakrifica”, – tha Shulku.
Ndërsa, Presidenti i Shoqatës së Arbitrave Shqiptarë të Futbollit, Tahir Kastrati, duke iu drejtuar të rinjve tha se për ta është hapur tashmë një dritare e re dhe se duhet shumë pasion dhe mund për t’ia dalë mbanë. “Kurorëzojmë më sukses veprimtarinë që ka organizuar FSHF-ja dhe Shoqata e Arbitrave për afrimin, edukimin dhe trajnimin e arbitrave të rinj. Për juve sot është hapur një dritare e re dhe keni një rrugë të gjatë e të vështirë me plot sfida, por pasioni dhe dëshira mund gjithçka. Ju keni marrë bazat kryesore teorike dhe praktike të linjës së gjykimit, ku duhet shumë punë dhe vendosmëri. Që sot ju jeni anëtarë të shoqatës sonë”, – tha Kastrati.
Të diplomuarit u pajisën me diplomën “Arbitër i Kategorisë së Tretë” dhe karriera e tyre nis në Kolegjiumet e qyteteve nga vijnë, duke arbitruar në kampionatet e moshave./atsh