Bashkia Dibër fton turistët vendas dhe të huaj të vizitojnë një nga trevat më të bukura të turizmit malor siç është Lura.
Bashkia Dibër, sjell pamje të mrekullueshme nga shtatë liqenet e Lurës që ngjiten njëri pas tjetrit në mal përgjatë rrugës nga Fusha e Pelave që fillon me liqenin e luleve dhe vazhdon drejt liqenit të Zi mes maleve për të parë Fushë-Lurën.
Lura është një ndër vendet më të bukura të turizmit sepse në këtë trevë janë të ndërthurura bukuritë natyrore, tradita, kultura arkitektura unike e kullave, një peizazh mahnitës që ngjitet në majë në lartësinë e qiellit dhe ulet me shtatë liqenet, drejtë një lugine mes malesh.
Në kohë të ndryshme, piktorë, diplomatë, turistë vendas dhe të huaj janë mahnitur me bukuritë e Lurës sepse aty bukuritë natyra i ka shkrirë në një peizazh madhështor.
Lura është një nga destinacionet turistike më tërheqëse në Dibër me kullat dhe oborret e rrethuara me furde prej druri që janë tradita alpine. Kullat janë unike për sa i përket ndërtimit me frëngji në katet e dyta dhe pika vrojtimi si kështjella në miniaturë.
Parku Kombëtar i Lurës ndodhet në verilindje të Shqipërisë dhe ka një sipërfaqe prej 12.8 km 2, duke përfshirë edhe pjesën lindore të Kurorës së Lurës.
Pema më e zakonshme në Lurë është ahu europian së bashku me bredhin argjend, pishën e zezë, pishën e kuqe dhe pishën boshnjake. Veçanërisht e mbrojtur është pisha e Ballkanit, e cila është e kërcënuar me zhdukje dhe gjendet vetëm në perëndim të Gadishullit Ballkanik.
Liqenet e Lurës kanë një sipërfaqe prej 1.280 hektarë dhe ndodhen në pjesën lindore të malit masiv te quajtur “Kurora e Lurës”. Me 14 liqenet e tij akullnajore krijon një ambient piktoresk dhe tërheqës në një lartësi nga 1.350-1.720 m.
Midis këtyre Liqeneve më të mëdhenj, janë: Liqeni i Madh, 32 hektarë, liqeni i Pishave 13 hektarë, liqeni i Zi 8 hektarë dhe liqeni i Luleve 4 hektarë. Ne dimër këto liqene janë të mbuluara nga akulli, ndërsa në verë mbretëron me lule Liqeni i Luleve.
Në pjesën veriore, përshkruhet rruga që vjen nga Peshkopia, Dibër ku Lura është pjesë e saj. Në veri-perëndim është një rrugë që vjen mes malit, që fillon nga kepi i Skënderbeut në Mat, shtrihet për gjatë Mas Dejës e që vazhdon në Fushë-Pela, ku qaset me malin e Runjës e për karshi si mburojë ka malin e Dejës, një nga malet më të larta në malet e mesme. Por ka edhe një shteg tjetër që vjen nga Mirdita, drejt thellësisë së Kurbneshit i futur mes malesh drejt Lurës. Aktualisht Parku Kombëtar i Lurës është zgjeruar edhe me liqenin e Zall-Gjoçaj, duke krijuar Parkun Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”. Parku ka një sipërfaqe prej 20 mijë e 242 hektarë.
Turistë të huaj dhe vendas nuk reshtin së vizituari Lurën sepse bukuritë nuk kanë të sosur dhe bashkia Dibër ka publikuar një fotogaleri të mrekullueshme nga këto liqene si ftesë për të apasionuarit e turizmit malor. /atsh