Liqeni i Dushkut ose siç njihet ndryshe liqeni i Zambakëve, i ndodhur në afërsi të fshatit Lenie, Gramsh në lartësinë 1105 m mbi nivelin e detit, është kthyer në një destinacion turistik vitet e fundit.
Kryeministri Edi Rama në kuadër të rubrikës “Shqipëria e bukur” publikoi sot fotografi nga liqeni i Dushkut, duke ftuar turistët ta vizitojnë atë.
Liqeni i Dushkut përfaqëson një liqen akullnajor me gjatësi rreth 800 m dhe gjerësi 400 m. Ka botë të gjallë të pasur, në të cilën dallohen sidomos zambakët e mëdhenj të ujit që njihen ndryshe si simboli i jetës, pasionit, dashurisë dhe pastërtisë. Gjenden edhe lloje të ndryshme peshqish, të cilët japin një shfaqje të mrekullueshme teksa shfaqen dhe zhduken përsëri pas zambakëve.
Duket sikur këtë liqen e ruajnë shumë mirë dhe i japin pamje akoma dhe më të bukur pishat të cilat gjenden në një sipërfaqe rreth 12 ha duke formuar një ekosistem tepër interesant liqenor e pyjor.
Periudha e pranverës dhe e verës janë më të përshtatshme për të vizituar këtë mrekulli natyrore./atsh