Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri tha në mbyllje të tryezës së sotme se kjo mbledhje shërbeu për të vijuar në mënyrë formale miratimin e detajeve të tjera që lidhen me marrëveshjen e 5 qershorit, ndërsa sa i takon ndryshimeve kushtetuese, opozita jashtëparlamentare nuk pranoi të diskutonte.
“Miratuam formalisht paketat e mbetura ligjore të marrëveshjes së 5 qershorit. Nga ana tjetër, unë konkludova që në vazhdën e takimeve të mëhershme të diskutonim dhe për hapjen e listave, por fatkeqësisht opozita nuk do ta trajtojë këtë çështje në Këshillin Politik, pavarësisht se thirrja e partnerëve dhe presidentit ka qenë në këtë drejtim”, – tha Gjiknuri.
“Ne kërkuam të vijojmë dialogun për këtë pjesë. Ne do të donim që për 30 korrikun të kishim një dakordësi edhe me opozitën jashtë parlamentit, por opozita jashtë parlamentit nuk pranon të diskutojë për këtë. Ajo që mbetet si pjesë e fundit e ndryshimeve në Kod ështe implementimi i të gjitha rekomandimeve të OSBE për depolitizimin e administratës zgjedhore. Ne ishim të gatshëm të vijonim diskutimet sot, por opozita nuk e shfaqi këtë vullnet dhe vijuam me detajet e tjera të marrëveshjes së 5 qershorit”, – tha Gjiknuri. /atsh