Loading...

Festa Kombëtare e Francës, Meta letër Macron: Mbështetje Shqipërisë për integrimin në BE

Me rastin e Festës Kombëtare të Francës, Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të Francës, Emmanuel Macron.

“Me rastin e Festës Kombëtare të Francës, Ditës së Bastijës, më lejoni të shpreh në emrin tim dhe të popullit shqiptar, urimet më të ngrohta e të sinqerta për Ju dhe popullin mik francez. Marrëdhëniet tradicionalisht shumë të mira midis dy vendeve dhe popujve tanë kanë krijuar një bazë solide miqësie e partneriteti për të ardhmen”, është shprehur Meta.

“Jam i bindur se, falë vullnetit dhe përpjekjeve të përbashkëta, bashkëpunimi ndërmjet Francës dhe Shqipërisë do të forcohet edhe më shumë në të gjitha fushat. Përfitoj nga rasti të shpreh gjithashtu mirënjohjen e thellë për ndihmën e madhe që Ju dhe Franca po i jepni Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian”, ka thënë Meta.

“Mbështetja juaj dhe e një vendi mik si Franca, si dhe metodologjia e re e zgjerimit, janë inkurajim dhe motivimi i duhur për ne për të vijuar me vendosmëri përmbushjen e reformave që do të mundësojnë çeljen e negociatave të anëtarësimit”, ka shtuar Meta.

“Duke shprehur dhe një herë urimet më të mira për Ju, për zhvillimin e përparimin e mëtejshëm të Francës, si dhe dëshirën time për t’ju mirëpritur në Shqipëri në një kohë të përshtatshme, ju lutem Zoti President, pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, ka përfunduar Meta./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com