“Festa e Fërgesës” është rikthyer për të tretin vit në mjediset e Kalasë së Tiranës, duke bërë bashkë artizanë dhe restorante tradicionale.
Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka ftuar qytetarët që të shijojnë momente të bukura, duke respektuar rregullat në situatën e pandemisë që po kalon e gjithë bota.
“Siç e do tradita, edhe këtë vit “Kalaja e Tiranës”, ju mirëpret për festën më të veçantë të Fërgesës më 17 korrik, ora 18:00”, thotë Veliaj. Bashkia e Tiranës ka njoftuar se pasditen e sotme në festën e fërgesës tek Kalaja e Tiranës, qytetarët do të mund të shijojnë gatime por edhe muzikë.
Mbështetja e bizneseve të vogla dhe e artizanëve përmes panaireve dhe eventeve të vazhdueshme është një nga prioritetet e bashkisë së Tiranës, duke i dhënë nxitje ekonomisë lokale, por dhe ruajtjes e promovimit të identitetit të kryeqytetit dhe njohjes së tij nga vizitorët e huaj./atsh