Loading...

“Edhe sikur të isha i pasur, nuk e ndërroj me asgjë këtë barake”/Me Nexhatin, 73-vjeçarin që prej 60 vitesh nuk i ndahet pasionit për zanatin e këpucarit

Një barakë gri tipike e modelit të së kaluarës, të atyre viteve mes fundit të regjimit komunist dhe fillimit të demokracisë, qëndron e fshehur mes pallateve të një lagjeje në kryeqytet ku Nexhat Muja punon si këpucar prej 60 vitesh.

Lindur në Fier por i transferuar në Tiranë që kur ishte vetëm 3 vjeç, ai sot është 73 vjeç dhe vazhdon ta ushtrojë këtë zanat me të njëjtin pasion me të cilën nisi të merrej që kur ishte vetëm 14 vjeç.

I ulur mbi një kolltuk në ngjyrë vishnjë në mesin e barakës në të cilën qëndrojnë të ‘hedhura’ këpucë, sandale e çizme të çfarë do lloji, por edhe kallupe të të gjithave përmasave, Nexhatin, me kokën ulur por duke kënduar nën zë, e gjejmë duke limuar këpucët mbi një dërrasë diku tek 70 centimetra. Nga sot e 60 vjet më parë, ai kujton që ka punuar këpucë për Mehmet Shehun e familjen e Enver Hoxhës.

“Kam qenë 14 vjeç kur kam nisur të merrem me përpunimin, përgatitjen e këpucëve. Kur jam future në punë isha në shkollë të fizkulturës. Atje punonte edhe nëna ime, ishte rrobaqepëse. Ishte një djalë i një udhëheqësi dhe na ngacmonte të gjithëve me pa të drejtë. Pata një konflikt me të. Unë isha djalë i një gjeometri, nënën e kisha rrobaqepëse. Pasi pata konflikt me të, më thanë që duhet t’i përulesha atij, unë braktisa shkollën dhe menjëherë sporti më gjeti punën tek punëtoria ushtarake. Sporti në atë kohë kishte lidhje me ndërmarrjet dhe interesohej për sportistët të punonin nëpër ndërmarrjet e qytetit të Tiranës, por edhe në rrethet e tjera. Kur hyra në punë, përjetova stres dhe pendesë që braktisa shkollës, mirëpo prapë s’më la krenaria dhe iu nënshtrova punës. Njëkohësisht vazhdova edhe me sportin”, na tregon ai.

Nexhati rrëfen për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se ka punuar këpucë jo vetëm për oficerët, por edhe çizme gjuetie për ish-kryeministrin e asaj kohe Mehmet Shehun, diplomatin e politikanin, Hysni Kapo.

“Në Punëtorinë Ushtarake bënim kryesisht këpucë për oficerët si dhe çizme për Mehmet Shehun e Hysni Kapon që ushtronin e gjuetinë dhe bënim çizme të gjata deri në brez për ta. Punoja deri për nën oficerin e thjeshtë. Ata i merrnin falas, pra nuk paguanin. Kishim shumë punë në Punëtorinë Ushtarake e cila si vendndodhje ka qenë aty ku është sot Fakulteti i Shkencave Sociale. Më pas, u hapën edhe filiale në Kukës, Sarandë, Vlorë si dhe shumë qytete të tjera”.

Nexhati ishte 14 vjeç kur nisi punëtorinë dhe më pas bëri 4 vjet specializim të ndarë mes fabrikës dhe shkollës “Petro Nini Luarasi”, shkollë profesionale për këpucar si dhe një kurs 2 vjeçar tek shkolla e komunales për këpucar.

“Kur braktisa shkollën, i thirra mendjes. Mendova: tani më duhet të përshtatem me mënyrën sesi më erdhi jeta, por duhet të punoj fort sepse më vonë do të krijoj familje. Të them të vërtetën, isha shumë i zoti për t’ja kapur zanatin atyre ustallarëve të tjerë, mes tyre kishte edhe partizanë që kishin mbetur gjatë kohës atje. Punëtoria Ushtarake ishte ndërmarrje italiane që funksiononte në kohën e Italisë dhe ishin ushtarët italianë që rregullonin këpucët dhe më pas u trashëgua nga partizanët”, tregon 73-vjeçari.

Mes këpucëve e çizmeve që punoheshin me një ritëm të lartë e pa ndërprerje, e sotmja është krejt ndryshe për Nexhatin. Ai punon edhe pse ka dalë në pension. Dëshira dhe pasioni e gjen ende duke rregulluar këpucë.

“Tani prodhohet me materiale shumë të dobëta. Një palë këpucë tek ne shkonin 20 vjet. Ushtarakët kishin një herë në 8 muaj një palë këpucë dhe një herë në vit një palë çizme. Ata mund të krijonin edhe rezerva në shtëpi, kështu që autorizimin e radhës e shisnin. Ndonjëherë mërziteshe sepse bëjë po të njëjtin model, pra ishte e njëjta gjë që bëhej çdo ditë. Ndërsa sot tabanët e këpucëve janë me kartona, një shi po të zuri, kartoni bëhet ujë dhe nuk mbijeton këpuca. Atëherë ishe nën mbikqyrje. Sikur një këpucë të prishej pak bëhej problem në Ministrinë e Mbrojtjes. Menjëherë zbarkonin në ndërmarrje dhe të rrinte kontrolli sipër kokës dhe nëse ti do të gaboje, këpuca jote do të varej në një copë letre: ja sa bukur punon X. Të qeshnin. Pasi vulosej këpuca, në përfundim të këpucës vendoseshin inicialet e punonjësit që e kishte bërë dhe e kishin shumë kollaj të dinin se kush kishte gabuar. Ushtrohej shumë kontroll dhe atje normat ishin pak të mëdha sepse ishte ndërmarrja e parë në Republikë. Ne punonim 8 orë por kur kishte ngarkesë kemi kaluar edhe tërë natën atje, dy turne rresht. Megjithatë paguheshim mirë”, rrëfen ai për ATSH.

Të gjithë e njohin Nexhatin, banor i vjetër apo i ri i lagjes.“ Në 1958 unë kam ardhur tek kjo lagje, kur është inauguruar për herë të parë shkolla “Naim Frashëri” godinë e re sa u bë në atë kohë, me drejtor Myzafer Hoxhën dhe këtu u rrita. Në klasë isha me Vladimir Shehun, djalin e Mehmet Shehut tek shkolla “Kosova”. Deri në klasën e katërt e kam bërë tek shkolla “Kosova”, më pas në klasën e pestë jam transferuar në shkollën “Naim Frashëri”.

“Sot këpucën mund t’a besh edhe ti, kanë ndryshuar kohërat. Por mendoj se ky është një zanat që nuk do të vdesë kurrë. Kanë kaluar kaq shumë vite që ushtroj këtë profesion, por ende sot mund të them që ka pasion për punën time. Mund edhe të mos e ushtroja, por dëshira është më e madhe se çdo gjë tjetër”, thotë ai.

Ndërsa i flet për temperaturat e larta të këtyre ditëve, të cilat ndihen akoma më shumë në barrakën e tij, Nexhati e ka një përgjigje.

“Kushdo që vjen këtu thotë: o bo bo sa vapë që qenka këtu por mua nuk më bën përshtypje. Në jetën time jam marrë me shumë sporte, nuk kam konsumuar as alkool as cigare, por kam bërë shumë gjimnastikë. Jam marrë me sport dhe e kam përballuar qoftë të ftohtit, qoftë vapën. Deri më sot jam mire, faleminderit Zotit. Mua më gëzon fakti që kaloj kohë këtu, edhe diçka fitoj”, shprehet ai.

“Kjo është përditshmëria ime. Vij çdo ditë këtu dhe punoj sikur të ishte hera e parë, me të njëjtin zell edhe pse vitet kanë rrjedhur sikur të ishin minuta. Këtu kam krijuar botën time ku bëj diçka të vogël mund ta quaj, por u vij në ndihmë njerëzve me zanatin tim. Edhe sikur të isha i pasur, nuk do ta ndërroja me asgjë këtë barake timen, mënyrën time sesi ndjehem aktiv dhe i vlefshëm. Kjo është një punë që do shumë durim dhe nerva, por mbi të gjitha dëshirë e pasion për t’a bërë sa më mirë.

Sipas Nexhatit, të rinjtë duhet të kuptojnë që ndërsa presin për punë, ky zanat të ushqen çdo ditë e s’të lë asnjëherë pa para.

“Marr çdo ditë porosi për të rregulluar këpucë, sandale tani në verë dhe u them klientëve kaloni më vonë për t’i marrë. Ata e dinë tashmë, që pa mbaruar punë nuk largohem prej këtej. Nëse marr porosi dhe them duhet ta përfundoj sot, e përfundoj po sot. Është disiplinë me të cilën e kam mësuar veten. Ajo që shoh sot është që ka humbur rëndësia e këtij profesioni. Një zanat është i rëndësishëm edhe për të rinjtë sepse jo të gjithë kanë mundësi për të vazhduar studimet e larta, si në çdo vend të botës. Të rinjtë duhet të kuptojnë që ndërsa presin për punë, ky zanat të ushqen çdo ditë e s’të lë asnjëherë pa para”, shprehet 73-vjeçari.

Nexhati tregon se gjyshi i tij, Kelmend Muja me origjinë nga Peja e Kosovës kishte përfunduar shkollën ushtarake në Itali dhe ishte pjesë e lëvizjes demokratike të Fan Nolit.

Nexhat Muja është babai i tre fëmijëve, 2 djemve dhe një vajzë. Vajza e vetme jeton në Filadeldia të Amerikës ndërsa dy djemtë punojnë dhe jetojnë në Tiranë./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com