Loading...

Çdo barrierë mbrojtëse ndihmon në kufizimin e përhapjes së COVID-19/ Manastirliu: Vendosni maskën dhe ruani jetë

Qeveria shqiptare vendosi dje përdorimin e maskës, barrierën mbrojtëse prej tekstili, si të detyrueshme në çdo ambient të mbyllur.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka publikuar një video ku tregon rëndësinë dhe mënyrën se si duhet mbajtur maska.

Manastirliu thekson se, çdo barrierë mbrojtëse, e bërë edhe në kushte shtëpie, ndihmon në kufizimin e përhapjes së COVID-19.

“Maska e detyrueshme në ambientet e mbyllura. Çdo barrierë mbrojtëse, e bërë edhe në kushte shtëpie, ndihmon në kufizimin e përhapjes së COVID-19!Ja disa rregulla për t’u ndjekur”,- thekson Manastirliu.

“Maska duhet të jetë një barrierë mbrojtëse prej tekstili, që duhet të mbroj gojën dhe hundën gjatë gjithë kohës. Lani duart ose përdorni dezinfektantin e duarve përpara se ta vendosni, apo ta hiqni atë. Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës. Mos prekni pjesë të përparme të maskës dhe lajeni me rrobat e tjera normalisht. Vendosni maskën dhe ruani jetë”,- janë disa nga këshillat që jepen në videon e publikuar nga ministrja Manastirliu.

Maskat janë të detyruara të mbahen në administratën publike dhe jo publike, në transportin publik, në zyra publike dhe jopublike, në shkallët e pallatit, në ashensorë, në qendrat tregtare, në dyqane dhe supermarkete, në tregje dhe në njësitë e shërbimit.

Për çdo shkelje gjoba do të jetë 2000 lekë (të reja)./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com