Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino ka bërë thirrje për kujdes dhe respektim të masave antiCovid.
Gjatë një interviste televizive ajo tha se “kemi vëmë re se kemi të bëjmë me një sëmundje që është më ngjitëse se në shkurt. Kemi të bëjmë me një sëmundje që përhapet në rrugë ajrore, virusi qëndron pezull në ajër. Nëse do të përhapej përmes stërklave, nuk do të ishte kaq infektues. Pra, nëse rrimë në një dhomë me kondicioner ne jemi të riskuar nëse nuk mbajmë maska”, tha Bino.
Sipas Binos, zbatimi i protokolleve mbrojtëse frenon përhapjen e infeksionit dhe zbut transmetimin e virusit.
“Duhet të parandalojme transmetimin në vendin e punës. Qoftë në zyrat e shtetit apo në kompani private duhet të zbatohet protokolli i shpallur që në fillim të epidemisë. Puna të bëhet me orare të caktuara, dikush të punojë nga shtëpia dhe dikush nga puna për të ulur transmetimin. Ne kemi vënë re se aty ku është ruajtur masa, nuk janë gjetur raste pozitive”, -u shpreh Bino.
“Mospërfillja e masave na çon në skenarë që nuk janë të mirë. Vendosin një peshë për sistemin shëndetësor, do të kërkojë më shumë energji, do të ketë më shumë forma të rënda. Më vjen keq që e them, edhe më shumë vdekje”,- u shpreh Bino./atsh