Loading...

Balla : ‘Të dy çunat e Sali Berishës, edhe çuni nga mamaja edhe çuni nga partia gënjejnë pa pikën e stresit’

Kuvendi i Shqipërisë do të votojë nesër 30 korrik ndryshimet në Kushtetutë.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, nga foltorja e Kuvendit, duke diskutuar mbi vendimin e qeverisë për të bërë disa ndryshime në buxhetin e vendit, i ka drejtuar një mesazh kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për reflektim mbi ndryshimet kushtetuese.

Balla në çelje të fjalës së tij kërkoi nga qytetarët dhe deputetët e Kuvendit për respektimin e masave antiCOVID.

“Së pari, do doja që nga kjo foltore t’i kërkoja çdo qytetari e qytetareje të këtij vendit të reflektojë mbi të gjitha detyrimet dhe masat e domosdoshme mbrojtëse lidhur me përballjen me armikun e padukshëm që vazhdon të marri jetë të pafajshme edhe këtu në këtë sallë, thirrja ime për këdo nga kolegët është që ne duhet të jemi simbol i respektimit të masave, jo vetëm në mbajtjen e maskave dhe distancimit social, por në gjithçka që duhet bërë për të kërkuar nga çdo qytetarë që të jetë shumë i kujdesshëm në këtë luftë, ku duhet të jemi të gjithë të përgatitur”, – tha Balla.

Duke u kthyer tek rendi i ditës, Balla tha se për shkak të masave antiCOVID-19, u bë i domosdoshëm reflektimi i buxhetit të shtetit për nevoja immediate të përballjes me luftën. “Jemi në kushte të vështira dhe është rishikuar buxheti. Nuk po hy tek buxheti, ministrja e Financave bëri një prezantim shumë të mirë ashtu si edhe ministri i Rindërtimit”, – tha Balla, duke kaluar vëmendjen tek Reforma Zgjedhore.

“Nesër kemi një çështje të rëndësishme dhe do doja të thoja shkurtimisht që t’i jepja një përgjigje Partisë Demokratike, që thotë nuk duam që ju të votoni ndryshimet kushtetuese se ne, PD-ja pra, gjoja doja t’i hapka listat 100%, ndërsa ne këtu s’jemi dakord t’i hapim 100%. Po si mund të hapen listat 100% pa u votuar nesër ndryshimet kushtetuese, këtë se thotë Luli, por thotë që paskemi shkelur afatet e Komisionit të Venecias që nuk këshillon ndryshime të Kodit të zgjedhjeve një vit përpara zgjedhjeve. Po t’i qëndronim strikt s’duhet të votonim as të enjten e shkuar ndryshimet që ramë dakord me Lulin”, – theksoi Balla.

“Sipas Lulit jemi vonë për hapjen e listave dhe duhet t’i shtymë, që të jemi më herët, kur të bie dakord Luli”,- shtoi Balla, teksa kaloi vëmendjen edhe tek akuzat ndaj Shkëlzen Berishës, djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha, për të cilin Balla kërkoi hetim nga SPAK.

“Nëse do presim Lulin, është njësoj sikur të presësh Zenin, vllain e Lulit, që të bjeri dakord për hapjen e hetimeve për kreditë e fabrikës së boronicave apo manaferrave. Zeni vllai i Lulit nuk ka vetëm një kredi 1.8 milionë euro, që s’dihet nga vjen, por ka edhe një kredi 5.4 milionë euro të lënë peshqesh në shportën e boronicave”, – tha Balla.

“Të dy çunat e Sali Berishës, edhe çuni nga mamaja edhe çuni nga partia gënjejnë pa pikën e stresit dhe janë aq dembel sa përtojnë të fshehin gjurmët e gabimeve të tyre. Luli nuk e do hapjen e listave, njësoj si Shkëlzen Berisha s’do hapjen e hetimeve për Boronicat e arta, as listat e Lulit as Boronicat e Zenit nuk durojnë dot dritën e transparencës. Edhe Lulit edhe Zenit, i them që t’i bëjnë thirrje SPAK-ut, që të nis hetimet për këtë djalin me fat, që pa punuar qoftë edhe një ditë në vetme disponoka miliona euro dhe kredira, duke deklaruar veten si ndërmjetës, që në shqip i thonë sekser”, – tha Balla.

“Kush janë subjektet që i kanë paguar mijëra euro, 700 mijë euro në katër pesë vitet e fundit për të qenë ndërmjetës. Çfarë morali njerëzor paska ky djalë me fat. Çfarë zgjidhje të suksesshme u ofron ky pajtuesh gjaqesh ofertuesve të tij? Këto janë pyetjet që ne presim të kemi përgjigje nga SPAK, me qëllim që ky institucion të tregojë se besimi shumë i madh që qytetarët kanë tek ky institucion i ri, është tërësisht i merituar. S’kemi nevojë të presim nga SPAK-u se po të kisha unë boronicat e arta që hapin puse nafte në banka, babi i Zenit dhe i Lulit do më kishin kryqëzuar, mua dhe juve këtu”, – tha Balla.

“Më lejoni të them që ky parlament ka detyrën të hapë listat nesër më 30 korrik pa pritur Lulin të bjeri dakord, edhe pse shpresoj që dita e sotme të jetë ditë reflektimi për të rënë dakord. Të presësh Lulin të bjeri dakord për listat e hapura, përsëris, është njësoj si të presësh Zenin të bjeri dakord për krimin brenda boronicave. SPAK të hapi hetimet për boronicat e arta, dhe të dali me konkluzione ndryshe nga se ndodhte më herët kur babi kishte në duar edhe gurin dhe arrën”, – tha Balla./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com