Loading...

Zemaj apel qytetarëve: Tubimet e njerëzve janë bërë rreziku më i madh

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka tërhequr vëmendjen se mos respektimi i distancës fizike dhe sociale dhe masave parandaluese të rekomanduara nga IKSHPK, mosmbajtja e maskave dhe dorezave, ditëve të fundit ka rezultuar me rritjen e frikshme të numrit të të infektuarve.

Sipas tij tubimet dhe grumbullimet e njerëzve janë bërë rreziku më i madh.

Zemaj tha se të gjitha institucionet publike e private duhet rigorozisht të ndërmarrin të gjitha veprimet që dalin nga udhëzimet e “Manualit për mbrojtjen nga përhapja e virusit COVID-19”.

“Në këtë mëngjes të punës, tek po lexoj informacionet e medieve vendore dhe të vendeve tjera, po shohim se COVID-19 vazhdon të jetë pelerina e zezë që po mbështjellë thuajse shumicën e kryetitujve. E në këtë kuptim edhe mendjen tonë”, tha Zemaj.

“Ky virus është shqetësimi ynë më i madh aktualisht. Është shndërruar si një kërbaç që çdo ditë po godet ndonjë qytetarë. Që nga fillimi detyrës unë si ministër dhe tërë stafi im me të gjitha kapacitetet po angazhohemi në këtë kryengritje kundër virusit. Por ushtarët kryesor jeni secili nga ju”, u shpreh ai.

“Kjo situatë është krijuar sidomos pas datës 30 maj kur u lehtësuan masat. Çdokush duhet jetë i vetëdijshëm se virusi vërsulet e shpërndahet në tubime e grumbullime njerëzish dhe përmes kontakteve. Në këto rrethana është e pamundur mbikëqyrja e përgjithshme”, tha Zemaj.

Ai shtoi se, “e vetmja armë e jona kundër këtij virusi është ruajta e distancës fizike e sociale dhe respektimi i masave mbrojtëse dhe parandaluese”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com