Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, Operacioni Forca e Ligjit i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë 4 shtetasve në Lezhë, Kurbin dhe Tiranë.
Konkretisht, OFL i ka nisur kërkesë shtetasit M. Z, banues në Tiranë, të dënuar për veprën penale “vjedhja me dhunë, e kryer në bashkëpunim”, dhe shtetasit L. I, banues në Tiranë, i dënuar për kryerjen e veprës penale “vjedhja me dhunë”.
OFL u ka nisur shkresë edhe shtetasve F. X, banues në Kurbin, dhe Gj.K, banues në Lezhë, të dënuar për kryerjen e veprës penale “trafikimi i narkotikëve”.
“Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme”, njoftoi OFL.
OFL bën të ditur se është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special./atsh