Loading...

Të premten çarterat e parë me turistë, Klosi: Vëmendje e shtuar ndaj grumbullimeve që përhapin infeksionin

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, deklaroi sot se “me fillimin e sezonit turistik në zonat e bregdetit, por edhe në gjithë Shqipërinë do të nisë një aksion i madh pastrimi nën drejtimin e prefektëve për të stabilizuar situatën e këtyre tre muajve sidomos në zonat turistike”.

Në fjalën e tij në takimin e parë të komitetit drejtues të menaxhimit të sezonit turistik, Klosi theksoi se “detyrat e menaxhuara nga prefektët duke administruar të gjithë forcat reale që ka çdo qark, situatën e pastrimit në një operacion të madh pastrimi me përfshirjen e të gjithë faktorët nën drejtimin e pushtetit vendor dhe institucionet të tjera dhe natyrisht me pjesëmarrjen e shoqërisë civile për të bërë një operacion në muajin qershor nga veriu në jug dhe të ketë një fokus më të madh në zonat dhe stacionet që të shndërrojmë këtë situatë në një situatë të pranueshme për vitin turistik 2020”.

“Kemi një situatë të kontrolluar në plazhe, por sa del në akset kryesore rrugore, sa kalon në rrugët dytësore që bashkojnë akset kryesore me zonat e plazhit kemi një situatë të papranueshme. Na duhet prezencë e institucioneve”, – tha Klosi.

Ministri u shpreh se “na kërkohet në kuadër të masave ndarja e stacioneve të plazhit. Është një situatë e ndryshme, sa i përket dhe situatës me koronën që ka të bëjë me ruajtjen e sa më shumë hapësirave publike dhe evitimin e grumbullimeve. Nga 3300 stacioneve plazhi ka vetëm 800 aplikime në e-albania, ndaj duhet të nxisim operatorët privatë”.

Ai kërkoi vendosjen e tualeteve dhe dusheve në stacionet e plazhit.

“Duke shpresuar se do kemi një sezon të menaxhuar normal 2020, duke ju kërkuar dhe njëherë vëmendje për ato që përmenda dhe detyra të çdo dite që do kalojmë në sezonin turistik ju kërkoj që të jemi shumë aktivë në këtë mbledhje të sotme për të pasur mundësi të ngremë piketat që të zgjidhim shumë problematika. Ditën e premte fillojnë charter-at e parë, janë shumë pak në krahasim me vitin e kaluar por që janë sinjali i parë që po zgjerohet jeta turistike. Ju kërkoj që ky vit të jetë një vit shumë më tepër i rakorduar dhe i stabilizuar dhe nga pikëpamja e komunikimit”, u shpreh Klosi.

Sipas tij, ky vit nuk është normal turistik për Shqipërinë. “Do të duhej të ishte viti më i suksesshëm për turizmin shqiptar, por situata e pandemisë na ka detyruar që marrim masa të veçanta për të trajtuar këtë situatë”, tha Klosi.

“Akoma jemi në një situatë që kërkon shumë vëmendje, nga të gjithë operatorët turistikë, por sidomos nga institucionet shtetërore që kanë detyrën të menaxhojnë këtë situatë. Situata na bën që të jemi më shumë rigorozë në ndarjen e detyrave dhe problematikat që ka sezoni i vitit 2020. Padyshim prezenca edhe e ministrit Lleshaj dëshmon edhe njëherë gatishmërinë e institucioneve të shtetit shqiptar, Kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, për të pasur një sezon të mirë turistik, edhe pse i vështirë. Do të duhet të garantojmë dy masa shumë të rëndësishme. E para sigurinë e jetës së qytetarëve në këtë situatë të vështirë duke garantuar higjienë, pastërti, zbatimin e rregullave të koronës dhe po ashtu një vëmendje të madhe sa i përket aktiviteteve, të cilat mund të shtojnë përhapjen e virusit”, – tha Klosi.

Ministri Klosi theksoi se “e dyta po aq e rëndësishme është zbatimi i detyrave që ne tashmë i kemi bërë pjesë të punës sonë, sigurinë e jetës së qytetarëve sa i përket ruajtjes së plazhit, ruajtjes së aktiviteteve në det nga mjetet e shpejtësisë dhe natyrisht respektimin e rregullave të reja që kanë të bëjnë me stacionet e plazheve dhe menaxhimin e tyre”./atsh