Plani i rimëkëmbjes “Shqipëria 2030” ka një kolonë të tërë me politika sociale që do të nisin të zbatohen.
“Ne me fakte, me shifra jemi pa diskutim mazhoranca që kemi paketën më të zgjeruar sociale krahasuar me të shkuarën, por krahasuar me ku duam të shkojmë është e pamjaftueshme, dhe ne këtë e dimë shumë mirë”, tha Kryeministri Rama gjatë një konference për shtyp.
Kryeministri u shpreh se pikërisht këtë mbështetje sociale duam të zgjerojmë përmes planit të rimëkëmbjes që na e mundëson në mënyrë komode edhe Eurobondi i siguruar një ditë më parë.
Rama tha se nga analiza që po bëjmë për periudhën e mbylljes për shkak të COVID-19, kemi mësuar gjëra të rëndësishme, siç është mundësia për të ristrukturuar mësimdhënien dixhitale.
“Kemi mësuar nga periudha e mbylljes se sa shumë mund të bëjmë dhe si mund ta bëjmë të strukturuar në fushën e arsimit marrëdhënien e mësimdhënies dixhitale, si mund të zgjidhim përfundimisht problemin e klasave kolektive, që është një sëmundje e vjetër që ne kemi filluar ta operojmë, por hap pas hapi, duke i mbyllur përfundimisht, por ama duke u dhënë fëmijëve që shkojnë në ato klasa cilësinë më të lartë të mësimit. Duke i mbledhur ata në shkollë, jo më për të marrë mësime të gjithë bashkë nga klasa e parë në të nëntën në një dhomë, por për të bërë aktivitete të tjera së bashku, ndërkohë që mësimet i marrin nga mësuesit më të mirë të Shqipërisë në rrugë dixhitale”, u shpreh Kryeministri.
Por tha ai, për këtë duhet të financojmë arsimimin e tyre në fshatrat më të largëta, jo thjesht duke ia lënë në dorë fatin e arsimimit të tyre smartfonëve, edhe pse, tha Rama më tej, e dhëna e mësimdhënies dixhitale gjatë mbylljes ishte e jashtëzakonshme, nga pikëpamja e numrit të nxënësve që patën akses./atsh