Loading...

Reforma Zgjedhore/Opozita kërkon gjithçka dhe nuk lë gjë pa thënë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në seancën plenare në Kuvend se opozita kërkon gjithçka nga reforma zgjedhore, por nga ana tjetër nuk lë gjë pa thënë.

“Shikoni ç’ndodh me reformën zgjedhore. E njëjta gjë. Domethënë nga një anë kërkojnë gjithçka dhe nga ana tjetër nuk lënë gjë pa thënë. Është habi e madhe. Nga një anë duan çdo gjë siç e duan ata dhe nga ana tjetër nuk lënë gjë pa thënë ndaj nesh. Dhe jo ndaj jush, po ndaj nesh. Se ndaj jush po e po. Juve jeni bijtë e mohuar të Partisë Demokratike. Dhe i meritoni në fakt ato që ju thonë me thënë të drejtën sepse ata ju kanë sjellë këtu dhe ju i keni dalë nga rreshti”, tha Rama.

“Po me ne çfarë kanë? Kanë atë që është pamundësia për të kapërcyer një kulturë komunikimi dhe një kulturë politike që është problemi i madh i këtij vendi së bashku me mënyrën sesi më pas pasqyrohet nëpër media. Dhe ne të gjithë themi që duam BE. Ne të gjithë jemi europianë, patjetër, nuk diskutohet. Ne të gjithë themi që ta integrojmë Shqipërinë sa më parë në Europë. Ne të gjithë predikojmë që jemi më të zotë se tjetri për ta bërë këtë. Dhe kur japim argumentat se pse jemi më të zot dominon ajo që s’ka lidhje fare me BE. Dominon kultura e akuzës, kultura e shpifjes, kultura e përçarjes, kultura e sakatimit psikologjik të një mileti të tërë që nga këtu merr shembullin më të keq”, u shpreh Rama.

“Unë nuk e di se çfarë mund t’ju kërkohet të tjerëve. Ju thashë dhe kur folëm për rastin e së miturës, kur nga këtu ju jepen shembujt më skandaloz. Dhe si ka mundësi që kur vini këtu ju ose ata që ishin këtu para jush silleni ekzaktësisht kundër të gjitha atyre që u kërkoni fëmijëve tuaj në shtëpi. Si ka mundësi? Si shpjegohet kjo? Sikur fëmijët tuaj të bënin atë që bëni ju këtu apo atë që bëjnë ata baballarët tuaj të partive që ju kanë lënë këtu jetim, secili prej jush, secili prej tyre si prind do ishte shumë i shqetësuar. Imagjino z. Valteri të të thërrasë mësuesja e djalit apo vajzës. Nuk e di nëse ke djalë apo vajzë apo akoma po kërkon një vajzë. Por sidoqoftë fjala që bie dhe t’ju thotë djali juaj ka thënë kështu, kështu, kështu për drejtorin e shkollës. As më shumë e as më pak ato që i thatë ju kaptërrit. Ju do skandalizoheshit. Do i kërkonit mësueses ndjesë. Do ju dhimbte koka. Do shkonit tek gruaja do thoshit nga na doli ky? Si do ja bëjmë këtij?”, tha Rama

“Ndërkohë që këtu ju i jepni shembuj të gjithë djemve, nxënësve të Shqipërisë që kjo është mënyra për t’u bërë njerëz të mëdhenj. Dil kap një mikrofon shaj, akuzo, trego përralla, gënje, mos u merr me fakte, mos respekto njerëzit që janë aty rreth e rrotull. Harroje fare që ka gra dhe vajza aty dhe jepi”, theksoi Rama.

“Kur ju thua njerëzve këtu kriminela, kriminela, i sheh gjithë këto gra që janë këtu? I sheh gjithë këto nëna që janë këtu? Parlamenti i kriminelave. Si ka ndodhur kjo. Natyrisht ne kemi pasur probleme. Të gjithë kanë pasur probleme, por ama ne kemi qenë ata që kemi bërë të mundur që edhe ato probleme të adresohen në një mënyrë apo një tjetër. Mirë apo keq”, tha Rama. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com