Loading...

Rasti i të miturës/ Fatkeqësi të shikosh se si një viktimë e dhunës përdoret, Shahini ka marrë të gjitha masat që parasheh ligji

Kryeministri Edi Rama dënoi sot ekspozimin në media të identitetit të së miturës së përdhunuar, ngjarje e publikuar pak ditë më parë.

“Është për të ardhur keq, që përveç asaj që ndodhi, që nuk është hera e parë që ndodh, për fat të keq, u përsërit ajo që ndodh pas çdo here, u kalua në abuzim që nuk është në nivelin e dhunimit trupor, por në nivelin e dhunimit psikologjik të një populli të tërë. Është fatkeqësi që të shikosh njerëz që kanë një mikrofon, kanë mundësinë të thonë fjalën e tyre, pavarësisht se çfarë janë, deputet, shoqëri civile apo analist dhe që e marrin viktimën dhe e bëjnë mish për topat e tyre. Është diçka që nuk ndodh në asnjë vend të botës, ndodh në Shqipëri. Atë viktimë, që gjënë më të rëndësishme dhe kërkesën themelore që ka, gjë që e thonë e rrëfejnë viktimat e dhunës së kësaj natyre është: më ruani anonimitetin, e marrin e e përplasin murë më murë, portal më portal e ekran më ekran”, tha Rama.

Kjo sipas tij, është kanibalizëm pseudointelektual, pseudopolitik, pseudoqytetar, pseudonjerëzor.

Kryeministri u shpreh se është fatkeqësi të shikosh se si një viktimë e dhunës, një e mitur, përdoret në këtë farë feje me e pavetëdije, me lot të sinqertë apo krokodili.

“Unë nuk kam dyshim që disa që flasin vuajnë me të vërtet, por në fakt krimi është krim, me vetëdije apo pavetëdije, kur vret, vret, kur dhunon, dhunon. Po ju them të gjithëve që kanë folur dhe e kanë marrë viktimën e kanë kthyer në shkop për t’i rënë të tjerëve, që jeni ridhunues të asaj faktkeqeje. E keni ridhunuar dhe nga ana tjetër, unë nuk besoj një sekondë të vetme që ata që dhunojnë publikisht ministren e Arsimit, një grua, e që flasin për të drejtat e nënave e grave, e kanë hallin vërtet te ajo viktimë. Nuk mund të mbrosh një viktimë të abuzimit duke abuzuar dikë tjetër”, u shpreh Rama.

Kryeministri më tej, vuri në dukje se “Kisha Katolike ka prej vitesh që ka hyrë në një proces të tmerrshëm të përballjes me pedofilinë, Kisha Katolike Botërore, kardinalë, peshkopë të të gjitha niveleve, janë të përfshirë në skandale ngacmimesh ekstreme seksuale dhe shfrytëzimi sistemik të pedofilisë“.

Dhe kjo gjë, tha Rama, që e ka goditur në mënyrë shumë të egër kredibilitetin e vet Kishës Katolike, nuk ka qenë kurrë as brenda Kishës, as në shoqëritë që janë përballur me fenomenin e priftërinjve e autoriteteve kishtare të zbuluara para popullit si pedofil, një arsye për të rrënuar vetë kishën, vetë besimin, etikën e komunikimit, detyrimin njerëzor për tu dalë për zot viktimave.

“Këtu viktima është marrë dhe bërë poster. Jam i bindur që askush nuk ka shkuar të qajë hallet me të, pa lënë që të merret vesh nga këta që flasin. Nëse ka një njeri, që e di me siguri që e ka bërë, është ministrja e Arsimit, që lloj-lloj çakejsh, me fytyrë njeriu e sulmojnë pa pushim”, deklaroi Rama.

“Këta duan, që ministrja e Arsimit të bëjë krim, të merret me rastin konkret në publik, apo duan të marri të gjitha masat që parasheh ligji e procedura siç i ka marrë?”, theksoi Kryeministri.

Kryeministri u shpreh se “dhunuesit për fat të keq në këto raste janë shumë të afërm me viktimat, apo janë mësuesit e tyre, siç janë priftërinjtë, ku njerëzit shkojnë për t’u rrëfyer për të gjitha mëkatet dhe fjalët mbeten mes teje, atij e Zotit”.

“Prandaj këto krime janë të vështira për t’u kapur, por nëse kthehen kështu siç është kthyer nga gojtaret e gojtarët e politikës e medias ky rast, do të kemi zero denoncime. Kjo është t’u thuash atyre që janë objekt i ngacmimeve, mos guxo të denoncosh se do bëhesh personazhi i thashethemnajës, baltës e luftrave që zhvillohen në këtë vend për arsye që nuk kanë të bëjnë fare me ty”, deklaroi Rama.

Por, u shpreh Kryeministri, kush e përdor mikrofonin në këtë vend, në çdo nivel apo kategori për ta kthyer ofendimin në kulturë komunikimi, për të përdorur shpifjen, shantazhin, si platformë politike është më keq se ai përdhunues.

“Unë jo vetëm jam solidar, e kjo jo për arsye të detyrës, por si njeri dhe si qytetar, me Besa Shahinin, por atyre që kanë ngritur dorën kundër Besës, ju them, qofshi burra apo gra, ju jeni më keq se ai përdhunuesi, se ai dhunon si mostër një të mitur, ndërsa ju kultivoni dhunën në shpirtin e të gjithë të miturve”, deklaroi Rama.

“Mendoj se ministria e Arsimit duhet të vazhdojë të bëjë atë që ka bërë, të identifikojë, të çojë para drejtësisë, të ruajë anonimatin, të mos bëj deklarata e komunikata. Atyre që në media publikojnë video të kësaj natyre, ju them vetëm kaq: Zoti mos e çoftë kurrë të fëmijët tuaj, se atëherë do ta kuptoni çdo të thotë të nxjerrësh fëmijën e dikujt tjetër, ndërkohë që është vetëm një viktimë”, deklaroi Kryeministri Rama. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com