Loading...

Protokoll sigurie dhe përgjegjësie nëpër shkolla, Kuko: Proces screening për rojat dhe rritje e oficerëve të sigurisë

Një protokoll sigurie dhe përgjegjësie pritet të ngrihet së shpejti nga Ministria e Brendshme, Ministria e Arsimit, si dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të ndarë rolet dhe përgjegjësit nëpër shkolla për të mënjanuar rastet si ajo e 15-vjeçares të ndodhur në Babrru.

Zv/ministrja e Brendshme, Romina Kuko, gjatë një interviste televizive ka bërë me dije se do ketë dhe një lloj vetingu, screening, për të gjithë personat që janë në kontakt me gjimnazistët.

“Në radhë të parë nuk mjafton asnjëherë të përsëritim se sa na ka tronditur të gjithëve rasti i vajzës 15-vjeçare. Unë e kam ndjekur protestën dhe me keqardhje nuk isha e pranishme për shkak të një angazhimi pune jashtë Tirane. Kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me organizatorët e saj. Mendoj se është momenti të mos kemi asnjë lloj ndasie për të çështje të tilla si mbrojtja e të miturve, shtresave vulnerabël, dhe me refuzimin në mënyrë sistematike të këtij fenomeni. Pasi morëm dijeni për ngjarjen, që në momentin e parë, kërkova informacion të detajuar dhe hollësishëm nga të gjitha strukturat që operojnë në komisariatin numër 5 të Kamzës, se përse nuk jemi sinjalizuar për këtë fenomen”, – tha Kuko.

“Gjithashtu ditën e hënë zhvilluam mbledhje urgjente online me 150 oficerët e sigurisë në shkolla. Ishim aty së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë, Kuvendin, Shoqërinë Civile dhe Ministrinë e Arsimit, për t’i rikujtuar për të zbatuar me rigorozitet protokollin e tyre. Presim që numri oficerëve të shtohet me po aq për të mbuluar të gjithë gjimnazet”, – shtoi ajo.

“Oficeri i sigurisë në shkollë ka rolin e personit që bën paralajmërimi e hershëm të fenomeneve që cenojnë sigurinë e të miturve në shkollë, konfliktet mes adoleshentëve, për të marrë sinjalizime nëse ata rrezikohen nga faktorë të jashtëm siç është lënda narkotike. Ne kemi pasur dhe goditje të këtij fenomeni për shkak të këtij oficerit. Është një fazë sigurie mes psikologut të shkollës dhe policisë. Ai është pjesë e stafit të shkollës, qëndron brenda saj dhe raporton për çështje të brendshme në dy drejtime; në Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Brendshme”, tha Kuko.

“Ngjarja ka ndodhur në shkollën 9-vjeçare dhe ne në këto shkolla nuk kemi ende oficerë sigurie. Ngjarja ka ndodhur para një viti e gjysmë. Është në sajë të oficerit të policisë që ky person është denoncuar dhe është arrestuar menjëherë”, – tha Kuko.

Zv/ministrja theksoi faktin se ka ardhur momenti që të kemi një sistem referimi nëpër shkolla, pasi është e pafalshme që abuzimi i 15-vjeçare në Babrru ndodhte prej më shumë se 1 viti e gjysmë dhe nuk raportohej.

“Jam në komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtje Sociale për të realizuar një protokoll të posaçëm për mbrojtjen e të miturve në Shkolla. Protokolli përmban rolet e mirëpërcaktuara dhe përgjegjësitë, kush është përgjegjës dhe ne do përpiqemi të përcaktojmë personin përgjegjës për rastin në fjalë, dhe jo ta lëmë topin në mes, por do ketë një person përgjegjës që jep llogari në fund të ditës për sigurinë e këtyre të miturve. Kur çështja ka shkuar në polici është shumë vonë, ne duam të parandalojmë”, – tha Kuko.

“Policia pasi ka marrë dijeni ka vepruar shumë shpejt. Po ju jap dhe disa nga pikat për këtë protokoll. Analizë risku në gjimnazet tona, për të kuptuar se cilët janë të mitur që mund të hasin në vështirësi në familje apo shkollë. Në të njëjtën kohë sistem screening apo vetingu që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me të miturit, siç janë rojat, që kanë zhvilluar një trajnim katër javor, ku janë certifikuar për sigurinë. Të njëjtën gjë duam të bëjmë dhe me personat e tjerë që kanë në dorë adoleshentët dhe të miturit. Po ashtu do ketë ndërhyrje në legjislacion për diskriminimin për të parë se si i mbrojmë këto raste. Kultura e heshtjes vjen nga fakti se viktimat janë të trembur për të denoncuar, pasi privatësia e tyre nuk respektohet për fat të keq. Ne duhet të tregohemi të përmbajtur për të mbrojtur identitetin e këtyre personave. Sinjalet e hershme dhe paralajmërimi hershëm janë shumë të rëndësishëm, por kultura e heshtjes është një tjetër element i rëndësishëm për të nxitur denoncimin e këtyre rasteve”, – bëri thirrje Kuko./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com