Loading...

Opozita parlamentare letër Ruçit dhe Ramës: Nuk votojmë Reformën Zgjedhore pa plotësuar tri kërkesat tona

Opozita parlamentare i është drejtuar sot me një letër Kryeparlamentarit Gramoz Ruçi dhe Kryeministrit Edi Rama duke i kërkuar ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Përmes një letre publike, ata thonë se nuk do të votojnë asnjë ndryshim për Rreformën Zgjedhore, nëse nuk plotësohen tri kërkesat e tyre: listat e hapura, rekomandimet e OSBE-ODIHR për administratën zgjedhore jopolitike dhe vota e emigrantëve.

“Shumica në Kuvendin e Shqipërisë duhet të na krijojë kushtet dhe garanci për një dialog serioz, transparent dhe të hapur për kalimin nga listat e mbyllura tek listat e hapura. Ne ju kërkojmë që brenda 48 orësh, ju të thërrisni një tryezë dialogu mes nesh dhe përfaqësuesve të mazhorancës, ku vetëm prania e kryeministrit Edi Rama do të ishte prova e seriozitetit të tryezës”, thuhet në letër.

“Ne jemi të vendosur për të mos votuar asnjë pazar të Këshillit Politik që nuk ka lidhje me Reformën Zgjedhore, por është noterizim i pazarit të 21 prillit 2008 dhe që lë në fuqi këtë ligj që kemi prej 12 vitesh. Hipokrizia që kërkon t’u paraqitet shqiptarëve si “marrëveshje” apo “dakordësi” mes atyre që kanë mbi 20 vjet që bëjnë pazar së bashku në kurriz të shqiptarëve nuk do të votohet nga deputetët e opozitës në Kuvend. Listat e hapura, rekomandimet e OSBE/ODIHR për administratë zgjedhore jopolitike, vota e emigrantëve, janë kërkesat tona të prera”, thuhet në letrën e opozitës parlamentare. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com