Loading...

“Ndërprisni identifikimin e viktimave”/ Shahini: Dyfishojmë numrin e psikologëve socialë në shkolla

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini dënoi rëndë ngjarjen ku një 65-vjeçar abuzoi me një 15-vjeçare dhe tha se rasti i është përcjellë organeve të drejtësisë.

Gjatë fjalës së mbajtur sot në Kuvend, Shahini theksoi se, “ne kemi përgjegjësi institucionale të ndryshojmë kulturën në shkolla, ashtu sikurse gjithë secili nga ne ka përgjegjësi të ndryshojë kulturën individuale në rrethin e tij”.

“Grupi i organizatave joqeveritare për mbrojtjen e grave, më ka nisur një e-mail ku kërkojnë që Ministria e Arsimit të përgjigjet për rastet individuale të abuzimit me fëmijët. Dua të bëjë të qartë, – tha Shahini, – se as sot, as dje, as kurrë për sa jam unë ministre, Ministria e Arsimit nuk do të prononcohet për rastet individuale të abuzimit, sepse kjo kontribuon në riabuzimin që po i bëni viktimave, duke kërkuar detaje të abuzimit dhe duke i identifikuar ato”.

Ministrja tha se, strukturat arsimore do të flasin gjithmonë për fenomenin dhe marrjen e masave parandaluese dhe ndëshkuese në mbështetje të fëmijëve dhe të të rinjve.

Ajo i bëri apel edhe organizatave joqeveritare të rrisin informacionet sensibilizuese dhe informuese për personat që duhet të mbrojnë. Këto organizata paguhen nga donatorët dhe qeveria për të mbrojtur gratë dhe fëmijët dhe për të raportuar rastet e dhunës.

“Kemi kërkuar hetim urgjent administrativ për protokollet që zbatohen nga OJF-të që paguhen nga buxheti i shtetit për të ofruar shërbim publik për mbrojtjen e fëmijëve. Ministria e Arsimit ka kërkuar gjithashtu që Urdhëri i Psikologut të raportojë për trajnimet, që ka zhvilluar për çështjet e ngacmimit seksual, me psikologët sidomos ato që punojnë në gjykata dhe ata që punojnë në shkolla si dhe ju kemi dërguar bashkive kriteret që duhet të plotësojnë rojet dhe stafi sanitar, për personat që punësohen nëpër shkolla”, – tha Shahini.

Sipas saj, bashkitë duhet të kenë parasysh që stafi që punon në shkolla të jetë me integritet.

“Kemi kërkuar nga autoriteti i medieve audiovizive që të marrin masa urgjentisht ndaj medias që kishte botuar të plotë dëshminë e një të mituri të abuzuar, dëshminë policore”, – tha Shahini.

Ajo i bëri apel AMA-s të mos presë nxitje nga Ministria, por të veprojë për këto raste që siç tha ajo, “abuzojnë për së dyti duke raportuar këto detaje që shkelin të drejtat bazike të fëmijëve”.

Ministrja tha se, përpara pandemisë në bashkëpunim me institucionet e linjës ka nisur një investigim serioz të të gjitha hallkave parandaluese dhe reaguese të këtyre rasteve dhe kemi dërguar siç tha ajo, “një platformë të cilën do të ta parashtrojmë në parlament në mënyrë që ta përmirësojmë këtë sistem”.

“Ne si Ministri e Arsimit kemi vendosur të dyfishojmë numrin e psikologëve dhe punonjësve socialë nëpër shkolla, dhe të nisim një fushatë informuese për nxënësit për të drejtat e tyre se si i mbron rregullorja e arsimit parauniversitar, ashtu dhe Kodi Penal”, – tha Shahini.

“Por dua të përsëris, KJO NUK MJAFTON. Nëse duam të parandalojmë ngacmimin, abuzimin, dhunën dhe diskriminimin e fëmijëve, grave dhe grupeve të brishta, duhet që secili nga ne të punojë për të luftuar sistemin patriarkal që denigron grupet e brishta dhe mundëson abuzimin”, – u shpreh ajo. //atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com