Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur sot se më 15 qershor do të rinisë transporti publik në të gjithë vendin, ndërsa ka publikuar edhe protokollin që duhet ndjekur, miratuar nga Instituti i Shëndetit Publik.
Sipas protokollit të miratuar nga ISHP-ja, transporti publik do të ushtrojë aktivitetin vetëm me 70% të kapacitetit.
Po ashtu, në protokoll është përcaktuar se të gjithë pasagjerët do të jenë të pajisur me maska dhe se ruajtja e distancës është shumë e rëndësishme.
“Një lajm i mirë për qytetarët dhe sektorin e transportit publik. Më datë 15 qershor rifillon shërbimi i transport publik, duke iu përshtatur rregullave të reja, sipas protokollit të miratuar nga ISHP”, deklaroi ministrja Balluku.
Transporti publik është i pezulluar që prej muajit mars në të gjithë vendin në kuadër të masave për frenimin e përhapjes së epidemisë së COVID-19./atsh