Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi sot se “Kosova nuk e ka luksin që të ketë Kryeministër që armiqësohet me Amerikën dhe me Shqipërinë”.
I ftuar në një studio televizive, Thaçi tha se “unë nuk jam kundër askujt, jam për të gjithë dhe në favor të të gjithëve”.
“Kam qenë entuziast që Kurti pas rezultatit zgjedhor të 6 shkurtit të niste sa më shpejt themelimin e qeverisë së re dhe unë ta dekretoja, sepse gjithë ato muaj pa qeveri ishin të dëmshme për Kosovën. E kam dekretuar menjëherë edhe tani do të përpiqem maksimalisht që të mos ketë vakum institucional sepse nuk mund të presim që inatet e spektrit politik t’i kushtojnë shtetit të Kosovës. Aq sa kam punuar që Kurti të merrte detyrat, aq kam dekretuar edhe Hotin menjëherë. Sot kemi një situatë krejt normale, me një kryeministër në zyrë që ka marrë disa vendime të rëndësishme, si largimi i barrierave që kanë penguar Kosovën dhe gjithë proceset e tjera të rëndësishme”, tha Thaçi.
Ai theksoi se “këshilla ime ndaj Kurtit ishte që të jetë më i kujdesshëm në raport me opozitën në Kosovë dhe të mos sillej aq keq sa është sjellë me Shqipërinë, pothuajse në mënyrë armiqësore, pa nevojë”. “I kam kërkuar t’i heqë të gjitha ato pengesa me Shqipërinë. Ne jemi këta që jemi dhe pavarësisht kësaj, interesi i Kosovës dhe i Shqipërisë gjithmonë është vendosur para egove personale. Afrimi aq i madh me Serbinë në periudhën e pandemisë ka qenë shumë i pajustifikueshëm, i paargumentuar nga askush dhe nuk është mirëpritur në Kosovë”, tha Thaçi.
Thaçi tha se “edhe raportet shumë të ndera, ballafaquese për herë të parë me SHBA-në të zyrës së qeverisë Kurti, kanë qenë sinjale negative”./atsh