Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi tha sot në një intervistë televizive se Reforma në Drejtësi ka qenë gjithmonë në qendër të sulmeve të opozitës pasi, sipas tij, kërkohet ringritja e sistemit të vjetër të drejtësisë.
“Reforma në Drejtësi ka qenë gjithmonë në qendër të goditjeve të opozitës. Shumë nga aksionet me goditje të përqendruar kundër stabilitetit dhe institucioneve në vend kanë patur si objektiv rrëzimin e Reformës në Drejtësi dhe pastaj ringritjen e sistemit të vjetër të drejtësisë “berishiane”. Në këtë lojë opozita bashkëpunon me presidentin Ilir Meta, i cili sillet si të jetë në konflikt interesi me këtë reformë. Kështu që, pa presionin ndërkombëtar, drejtësia e re nuk do të ngrihej kurrë”, u shpreh Koçi.
“Dua ta falënderoj ambasadën amerikane për këmbënguljen euroatlantike për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën e demokracisë dhe integrimit europian. Çdo tentativë kundër reformës është në fakt përplasje me frymën euroatlantike të rrugës së shqiptarëve”, u shpreh ai.
Lidhur me godinën e Teatrit, zv.ministriKoçi u shpreh se “unë gjykoj se opcioni i tretë i konsoliduar për të ndërtuar një Teatër Kombëtar në vend të atij popullor është një fitore e madhe e komunitetit dhe interesave artistike të Shqipërisë”.
“Çuditem se si nuk e kuptojnë edhe ai grusht militantësh partiakë në gjirin artistik se teatri i ri është fitore edhe për ta”, u shpreh Koçi.
Ndërsa për përballimin e situatës së krijuar nga COVID-19 nga qeveria shqiptare ai u shpreh se “është meritë e padiskutueshme e kryeministrit Edi Rama dhe ekspertëve. Përtej çdo përpjekjeje për modesti mendoj se çdo syçelët e kupton menaxhimin e shkëlqyer që një vend me shëndetësi akoma pa kapacitetet e duhura i bëri pandemisë së COVID-19”./atsh