Loading...

Italia rihap kufijtë për të shpëtuar turizmin

Italia rihap sot kufijtë për turistët europianë, një muaj pas rifillimit gradual të aktiviteteve në vend, me shpresën që me afrimin e verës të shpëtojë industrinë turistike, sektor kyç i ekonomisë së saj goditur nga pandemia.

Anijet mund të lundrojnë sërish në ujërat e Venecias, të dashuruarit mund të luajnë “Romeo dhe Xhulieta” në ballkonin e Veronës dhe që prej të hënës Koloseumi i Romës apo muzeu i Vatikanit kanë mirëpritur përëri vizitorët.

Por, qendrat turistike, si hotelet dhe restorantet, i tremben faktit se turistët nuk do jenë këtë vit për Italinë, një prej vendeve të Europës më të prekur nga pandemia ku koronavirusi i ri ka shkaktuar mbi 35 000 të vdekur, me Lombardinë si epiqendra europiane e epidemisë.

Qeveria autorizoi sot më 3 qershor qarkullimin e lirë mes rajoneve, por me ndalimin e grumbullimeve të mëdha dhe mbajtjen e detyrueshme të maskave në vendet e mbyllura dhe në transportin publik.

“Kriza nuk ka përfunduar dhe institucionet ashtu si qytetarët do të duhet ende të përballen me pasojat dhe traumat e saj (…)”, theksoi presidenti italian, Sergio Mattarella me rastin e Festës Kombëtare.

“Vuajtjet e këtyre muajve të fundit nuk duhet të na vendosin kundër njëri-tjetrit”, shtoi ai duke nënvizuar se do të ishte e papranueshme dhe e pafalshme shpërndarja e kësaj fryme.

“Italia, në këtë situatë të jashtëzakonshme, ka treguar anën e saj më të mirë”, nënvizoi Mattarella duke shtuar se ndjehet krenar për vendin e tij dhe duke përshëndetur unitetin moral të italianëve përballë virusit, këtij armiku padukshëm.

Fluturimet ndërkombëtare do të rifillojnë sot vetëm në tre qytetet e mëdha si Milano, Romë dhe Napoli./ atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com