Loading...

“I dhanë luftës më shumë djem sesa ka parti në Kosovë”/ Haradinaj e Limaj u shpallën të pafajshëm në Hagë, nisin hetimet kur kthehen në shtëpi

Gjatë fjalës në Kuvend, Kryeministri Edi Rama u ndal te rasti i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj i cili la detyrën asokohe për t’iu përgjigjur akuzave për krime lufte.

Rama tha se “Haradinaj la detyrën e kryeministrit të Kosovës në vitin 2005 pikërisht për t’iu përgjigjur thirrjes për akuza për krime të Tribunalit për krime lufte dhe dy herë doli i pafajshëm. Dy herë doli i pafajshëm dhe për herë të parë në historinë e Tribunalit të Hagës kjo nuk diskutohet, se këtë e kam fakt të certifikuar, ndodhi që një person i shpallur i pafajshëm të kthehet në rigjykim pas apelimit”.

“Përkundër faktit që vite e vite me radhë prokuroria nuk gjeti asnjë provë për të mbështetur akuzat e saj dhe kur Ramush Haradinaj merrej me këtë sagë, unë jam dëshmitar okular i një vizite në shtëpinë e të atit, i cili i ka dhënë luftës me shumë djem sesa ç’janë krijuar parti politike në Kosovë dhe më pas në shtëpinë e tij në Prishtinë ku e shoqja, një nënë e re rriste fëmijët dhe në mes të shtëpisë ishte një nga ato rrathët me dru për të mbajtur bebet që të mos lëvizin. Dhe nga ai imazh tek imazhi i pritjes finale që prapë nuk doli finale kur Ramushi zbret nga avioni, nga ato bebet, nga rrethi i drunjtë janë bërë marshallah, në pritje të kujt, të një krimineli që mbaroi dënimin? Jo! Të një të pafajshmi që dhjetë vjet njëherë i la rrugëve të drejtësisë ndërkombëtare, por jetoi dhe vazhdon sot të jetojë me hijen e një persekutimi në kuptimin më të drejtë të fjalës. Persekutim, sepse dal i pafajshëm më thërret prapë, dal i pafajshëm më thërret prapë, dal i pafajshëm dhe prapë më mban nën tiro. Nuk provon asgjë dhe prapë më paragjykon dhe më gjykon”, u shpreh Rama.

Dhe pa dyshim, tha ai, “komandant në një nga zonat më të ashpra të luftës, në zonën e Dukagjinit. Ish-kryeministër i zvarritur një dekadë për të dëshmuar që është pa lidhje me krimet kundër njerëzimit por thjeshtë ka udhëhequr një luftë, nuk ka lidhje lidhje me krimet kundër njerëzimit por thjeshtë ka udhëhequr një luftë, ka humbur njerëz atje. Ndërkohë që askush nuk merr asnjë përgjegjësi farë, për të gjithë këtë jetë të sakatuar, askush. Në rregull, doli i pafajshëm, po si kështu? Edhe kjo vazhdon. Sikur të më thonin që mund të ndodhë prapë, derisa lexova këtë të djeshmen do të thosha ‘edhe mund të ndodhë’, pas kësaj të djeshmes nuk çuditëm më dhe jo më larg sesa vitin e kaluar që t’i themi të gjitha, doli prapë i pafajshëm, por kësaj radhe u thirr në cilësinë e të dyshuarit, personi që ka dijeni për ngjarjen dhe që dyshohet se…”, theksoi Rama.

Më tej, Kryeministri tha se po njësoj edhe me Fatmir Limajn, e njëjta gjë.

“Shpallet i pafajshëm në Hagë dhe i fillojnë hetimet kur kthehet në shtëpi, nga e para. E dimë, sepse e njohim nga historia jonë dikë që u thoshte të tjerëve: thellohu, thellohu se ti je i fajshëm, unë nuk kam prova, por ti thellohu se do t’i gjesh vetë. Tani nuk ka mbetur veçse t’i gjejë vetë edhe të shkojnë e ta nxjerrin këtë botë që nuk ka halle edhe që tani ka një hall global për të zgjidhur krimet kundër njerëzimit që kanë bërë kosovarët”, tha Rama.

Më tej, Rama ndër të tjera u shpreh se “qindra luftëtarë të niveleve të larta të UÇK-së janë në fashikujt e drejtësisë ndërkombëtare, 21 vjet qindra dhe pyetja që vjen, vjen vetë pyetja nuk ke çfarë i bën tani për të bërë politikanin e madh dhe njeriun që rimendon që po e thashë si do ta përkthejnë dhe si do të lexohet përkthimi dhe mund të vija këtë foltoren pyetjes përballë, mund t’i thotë pyetjes mos m’u afro, por pyetja vjen vetë. Është kjo sagë tani në emër të drejtësisë përmes një vullneti ndërkombëtar, unikal në botë për të dhënë drejtësi të drejtë apo është një keqpërdorim i padrejtë me thënë të drejtën, i një gatishmërie të gjithëkohshme të palës kosovare për të bashkëpunuar me ndërkombëtar siç quhen në përgjithësi, por specifikisht me partnerët e Luftës Çlirimtare dhe për të zbardhur deri në fund çdo akuzë dhe çdo dyshim”.

“Kur mendon që në këtë botë pandemash me kaq shumë gjëra të thënë, të astërthëna, të rithëna e të prapëthëna për asnjëherë të provuara nga gjyqtarë, gjykata, njëra pas tjetrës, shkallë pas shkalle kundër të njëjtën njerëzve “same people” që këtë ta përkthej tamam, të cilët nga një anë dhanë të gjithë gatishmërinë si përfaqësues institucionalë të shtetit të ri sovran për këto gjykata qoftë duke i mbështetur në krijimin e tyre, qoftë duke iu dhënë punë atyre përmes paraqitjeve dhe riparaqitjeve dhe përmes qëndrimeve me vite, mbyllur në një kuti betoni, janë mbrapa të tjerë”, theksoi Kryeministri Rama. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com