Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka ngritur shqetësimin e tij për një valë të mundshme të re me koronavirus në kohën kur vendi ynë po përballet me një numër në rritje të rasteve të reja.
Gjatë 24 orëve të kaluara në nivel vendi janë konfirmuar gjithsej 49 raste të reja me koronavirus.
E kjo ka nxitur të parin e Ekzekutivit vendor të reagojë ndaj rrezikut të përhapjes së mëtejme të kësaj sëmundjeje që ka prekur tashmë pothuajse të gjithë botën.
“Vendi ynë mund të përfshihet nga vala e dytë e infektimeve me virusin COVID-19. Në bazë të trendit të ditëve të fundit me raste të reja të infektimeve, ky rrezik është shumë real. Mund të preken edhe më shumë jetë njerëzish, do të thellohet kriza ekonomike, ndërsa do të stërngarkohet sistemi i shëndetësisë”, tha Hoti.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore për mbajtjen e maskave, ruajtjen e higjienës dhe mbajtjen e distancës sociale si pjesë e masave parandaluese kundër përhapjes së COVID-19.
Hoti tha se pas hartimit të manualit për mbrojtje nga përhapja e COVID-19, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, do të angazhojë rreth 200 profesionistë shëndetësorë që do të monitorojnë zbatimin e këtyre masave./KosovaPress/