Duke parë situatën dhe zhvillimet e fundit në lidhje me pandeminë e COVID-19, por edhe pritjen e një fluksi të madh pelegrinazhi në Kishën e Shën Ndout me rastin e festës së 13 Qershorit, bashkia e Kurbinit në bashkëpunim edhe me institucione të tjera vendore ka përgatitur një plan të detajuar masash.
Policia e Shtetit, Policia Bashkiake, Shërbimi Shëndetësor Vendor, Zjarrfikësja etj., do të funksionojnë me shërbime të përforcuara përgjatë periudhës 12-13 qershor me qëllim përballimin e numrit të madh të pelegrinëve që priten në këto dy ditë.
Bashkia njoftoi se “është i ndaluar kategorikisht transporti publik me mjete si autobusë apo furgonë drejt Kishës së Shën Ndout dhe lëvizja do të bëhet vetëm me automjete private ose në këmbë”.
Kryetarja e bashkisë Kurbin, Majlinda Cara u bëri thirrje të gjithë banorëve të Kurbinit dhe pelegrinëve të shumtë që vijnë nga vende të tjera, për respektim rigoroz të distancimit fizik dhe përdorimin e maskave/dorezave apo dezinfektantëve pasi një ditë pelegrinazhi dhe lutjesh mund të kthehet në një vatër infektimi.
Gjithashtu, ajo tha se “është shumë e rëndësishme ruajtja e higjienës personale, por edhe mosndotja e mjediseve publike me ambalazhe e mbetje të ndryshme”.
“13 Qershori është një ditë feste dhe paqeje dhe jam e bindur se, me bashkëpunimin tuaj, si e tillë do të kalojë”, tha Cara. /atsh