Drejtori i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, dr. Skënder Brataj u shpreh sot se qytetarët nuk duhet të ulin vigjilencën, pasi virusi është aty dhe po vijon përhapjen biologjike.
Brataj, gjatë një interviste televizive, u shpreh se numri i telefonatave në Urgjencë është në rritje, por kjo, sipas tij, ka shumë dimensione.
“Rritja e telefonatave është tregues i ankthit dhe stresit. Pati një rënie telefonatash përpara rihapjes dhe qytetarët nisën të ndihen të sigurtë. Por tani kur kemi një numër në rritje të të infektuarve, njerëzit më të afërt me ato të infektuar, u shqetësuan dhe nisën sërish të kemi fluks telefonatash. Kemi po ashtu dhe 30-40 telefonata nga i njëjti person, kur ai pret t’i shkojë urgjenca për tampon, por nuk i ka shkuar brenda 24 orëve dhe ai insiston me telefonata. Kemi po ashtu persona që telefonojnë dhe kërkojnë të bëjnë tamponin për të udhëtuar jashtë vendit, pasi ua kërkojnë atje”, – tha Brataj.
“Ky relaksim i gjithë popullatës shkaktoi një relaksim dhe të personelit shëndetësor. Unë s’duhet të pres të vijë ISHP, AKU, apo institucione të tjera për të më kontrolluar mua a po zbatoj apo jo rregullat. Po ashtu dhe inspektorët që duhet të kryejnë monitorimin e kanë bërë këtë papushim që prej 8 marsit, por tani që janë hapur qindra e mijëra biznese nuk mund të presim që të jenë të pranishëm tek të gjitha bizneset, por duhet vetë sipërmarrësi të jetë i vetësensibilizuar”, – tha Brataj.
Lidhur me infektimet tek “Francezi”, Brataj tha se ka pasur relaksim të personelit. “Në QSUT janë 53 shërbime, janë tre të tilla që janë prekur. Tek “Francezi”, që është një shërbim që ka qenë i mbyllur, por tani me rihapjen u prek nga ky virus ka patur relaksim. Atje bëhen kontrollet e syve dhe kontakti është i afërt dhe duhet me patjetër të kesh masat e sigurisë ti si personel. Në Itali janë 26 000 personel mjekësor të infektuar. Por këtu ka relaksim të popullatës. Po të shkosh në market kur i thua ruaj distancat, të shohin shtrembër e të thonë akoma e beson këtë, pasi lajmet e shumta me filozofi të ndryshme sjellin problematikë”, – tha Brataj më tej.
“Testimet janë punë e epidemiologut. Rritja e e infektimeve realizohet sipas kontakteve që ka pasur i prekuri. Kur je i izoluar numri testimeve ulet, pasi kontaktet janë të pakta, tani që jemi të hapur numri i testimeve rritet pasi dhe kontaktet rriten dhe kështu me radhë”, – tha Brataj. /atsh