“Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm, që po bëhet gati të marrë në dorë fatet e vendit, dhe kjo është rinia e saj e jashtëzakonshme. Me ambicie të mëdha dhe përgatitje lidershipi, këta të rinj janë një potencial i madh dhe garanci për qeverisjen e ardhshme”.
Kështu u shpreh sot kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një takimi me të rinjtë e programit LEAD Albania.
“Me një mendësi të re, me dëshirën dhe ambicien për të punuar në Shqipëri e për Shqipërinë, të rinjtë dhe të rejat kanë sot aftësinë dhe përgatitjen e duhur, por ajo që u mungon dhe do të bëjmë gjithçka t’ua japim, është mundësia”, – tha Basha.
Gjatë takimit Basha diskutoi me të rinjtë për platformën e PD-së.
“Mora ide të vyera prej tyre, për ta pasuruar atë dhe më tej, për të adresuar më mirë zgjidhjet rreth problematikave që kanë të rinjtë sot. Garantimi i mundësive për arsim, pavarësisht statusit të tyre social, krijimit të mundësive për të hapur biznese të reja, mbështetje për idetë inovative, krijimin e mundësive për punësimin e tyre, ishin disa prej çështjeve që ndava me ta”, – tha Basha.
Kreu i PD-së tha se “përtej situatës së vështirë që po kalojmë, të një krize shumëdimensionale politike, ekonomike e sociale, këta të rinj, me optimizmin e tyre, me idetë se si duhet të ecim përpara, se si do t’i shndërrojmë pasuritë e mëdha të këtij vendi në mundësi për një jetë më të mirë për çdo shqiptar, janë garancia e një ndryshimi që po vjen, ndryshim real që do të prekë çdo qytetar e veçanërisht të rinjtë, që sot shohin si mundësi vetëm emigrimin”.
“Programi LEAD Albania (Leadership Experience And Development) që zbatohet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) që nga viti 2013, ka qenë dhe mbetet një mundësi e mirë për të rinjtë e talentuar dhe të mirarsimuar, që me punën dhe angazhimin e tyre serioz, do ta bëjnë Shqipërinë një vend më të mirë”, – tha Basha./atsh