Kreu i PD-së, Lulzim Basha deklaroi sot për mediet se “sfida më e madhe e çdo familje është kriza ekonomike e cila nuk mund të zgjidhet nga ata që e shkaktuan këtë krizë të thellë ekonomike duke e varfëruar, zhvatur dhe taksuar Shqipërinë në këto 7 vite”.
Ai tha se e gjithë vëmendja, fokus dhe i gjithë përqendrimi ynë tani është tek e ardhmja për një ekonomi e fortë dhe një Shqipëri e fortë.
“Ndaj, Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar janë të vendosur të paraqesin platformën ekonomike, ta konsultojmë atë kudo nëpër Shqipëri. Ne do t’i fitojmë zgjedhjet së bashku me shqiptarët, do t’i kthejmë qeverisjen vendit dhe do të kemi në fokusin tonë ringritjen ekonomike dhe ndërtimin e një ekonomie të fortë për shqiptarët që të prodhojë mirëqenie dhe vende pune”, tha Basha për gazetarët.
Ai shtoi se “ky do të jetë përqendrimi i të gjithë energjive tona, ne nuk do të humbasim asnjë sekondë me gropat dhe kurthet e një qeverie të dështuar në largim, por do të përqendrojmë të gjithë energjinë tonë, të aleatëve tanë të Opozitës së Bashkuar, tek fitorja e zgjedhjeve të ardhshme dhe zgjidhja e krizës së rëndë ekonomike duke ofruar planin tonë, masat tona shqiptarëve dhe duke ndërtuar bashkë me shqiptarët rrugën e daljes nga kjo krizë, për t’ua kthyer ekonominë dhe Shqipërinë, shqiptarëve”./atsh