Loading...

Basha me Shoqatën e Investitorëve të Huaj: Politika transparente dhe afatgjata për taksat

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me Shoqatën e Investitorëve të Huaj ku ka premtuar se taksa e sheshtë do jetë 9% dhe se do të heqë taksën e karburantit si dhe eliminimin e lejeve, licencave dhe autorizimeve që pengojnë konkurrencën e lirë.

Gjatë takimit me drejtuesit e Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri, Basha tha se “nuk ka prioritet më të madh për shqiptarët sot, se të kthejmë besimin të ekonomia e të nxisim punësimin si emergjencë kombëtare. Për këtë arsye, krijimi i lehtësirave dhe kushteve për të thithur sa më shumë investime të huaja, që hapin vende pune, është prioriteti ynë strategjik”.

“I sigurova përfaqësuesit e Shoqatës së Investitorëve të Huaj se në qeverisjen e ardhshme thithja e investimeve të huaja do të jetë prioritet strategjik, krahas mbështetjes së biznesit e prodhimit vendas. Reformat që ne do të ndërmarrim do të çmontojnë konkurrencën e pandershme, do të eliminojnë burokracitë e tepërta dhe do të luftojnë korrupsionin. Do t’i japim fund ndryshimit të papritur dhe të pakonsultuar të rregullave, duke kthyer sigurinë juridike. Politika transparente dhe afatgjatë për taksat dhe hapja e lojës duke çmontuar monopolet dhe trajtimet preferenciale do të garantojnë konkurrencë të ndershme në vend të klientelizmit korruptiv të qeverisë”, tha ai.

“Shqipëria do të shohë përpara dhe prioriteti im absolut është të luftoj për të mbrojtur dhe hapur çdo vend pune të mundshëm. “Shqipëria në punë” nuk është thjesht një moto, por një platformë reale. Me planin tonë ekonomik do të sprapsim krizën “Rama” dhe do mund të hapim vende të reja pune, të fuqizojmë ekonominë dhe të rrisim mirëqenien e shqiptarëve”, përfundoi Basha. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com