Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me fermerët në Ndroq.
Basha shprehet se “fermerët që përbëjnë gjysmën e popullsisë dhe jetojnë me tokën me bujqësinë e blegtorinë janë lënë komplet jashtë vëmendjes. Nuk kanë marrë asnjë lloj mbështetje, jo vetëm tani, por për 7 vite me radhë, pjesa dërmuese e fermerëve nuk kanë marrë subvencione. Ata punojnë nga mëngjesi deri në darkë dhe nuk kanë garanci të nxjerrin dhe të sheshin në treg prodhimet. Mungesë totale mbështetje, braktisje totale, ndërkohë që qindra e miliona euro që këta njerëz paguajnë nga TVSH, faturat e energjisë shkojnë për 4-5 oligarkë”.
Ai shtoi se “qeveria ka paguar vetëm 90 milionë euro për të gjithë shqiptarët për tre muaj të pandemisë”.
“Për fermerët shqiptarë paketa jonë është e qartë. Ne do të kemi subvencionet siç ka edhe Kosova dhe Maqedonia e Veriut dhe subvencionet nuk do të shkojnë për grumbulluesit, por drejtpërdrejtë te prodhuesit dhe në bazë të prodhimit do të marrin subvencionet. Prodhimi i tyre do mbrohet dhe asnjë prodhim i huaj nuk do të hyjë në doganat shqiptare pa patur një tarifë të barazvlefshme me subvencionet që ata marrin nga qeveritë e tyre”, tha ai.
Basha theksoi se “prodhimet e fermerëve shqiptarë do të jenë të parët në tregun tonë, ndërkohë që do nxisim dhe eksportin”.
“Me uljen e çmimit të naftës dhe heqjen e taksës që i ka kushtuar prej viti 2013, 240 lek për litër çdo shqiptari, ne do të mundësojmë që prodhimet tona të bëhen më konkurruese”, theksoi Basha. /atsh