Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar sot ndaj shkrimit të ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim për vendimin e Komisionit të Venecias për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka ripostuar Twitter-in e Ambasadës amerikane ku thuhet se, “duke rikujtuar shembullin e Skënderbeut, Ambasada e SHBA është në një mendje me Komisionin e Venecias: përballë korrupsionit dhe padrejtësisë – armiku ynë i përbashkët tek dera – populli i Shqipërisë duhet të bashkohet & udhëheqësit duhet të përgjigjen për detyrimin e tyre”.
“Çdo vonesë dhe zvarritje në emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese vonon daljen nga kriza politike dhe mban mbyllur dyert e BE për shqiptarët”, ka theksuar Basha.
“Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese shërben për plotësimin e 2 prej 15 kushteve për hapjen e negociatave dhe për rikthimin e legjitimitetit në qeverisjen vendore”, ka nënvizuar Basha./atsh