Loading...

“Arritëm ta mbyllim këtë vit të vështirë shkollor”/ Shahini uron maturantët: Suksese të përzemërta

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini uroi gjithë maturantët, të cilët ditën e nesërme do të zhvillojnë provimin e parë të Maturës Shtetërore.

Fillimisht, ajo shprehu mirënjohjen për çdo nxënës, prind e mësues për përballimin me sukses në mbylljen e këtij viti shkollor.

“Arritëm ta mbyllim këtë vit të vështirë shkollor, falë qëndrueshmërisë së nxënësve, durimit të prindërve dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm të mësuesve tanë që brenda një kohë të shkurtër e përballën me sukses realitetin e krijuar nga tërmeti shkatërrues dhe pandemia vdekjeprurëse. Mirënjohje të veçantë për secilin prej jush!”, shprehet ajo ndërsa uron maturantët për provimet.

“Tashmë jemi në atë “fazën finale të maratonës” për maturantët tanë, të cilët ditën e nesërme kanë provimin e parë të Maturës Shtetërore. Suksese të përzemërta secilit prej tyre në çdo provim dhe i dëshiroj gjithë të mirat në rrugëtimin e tyre jetësor”, shprehet Shahini.

Rreth 31 mijë maturantë çelin nesër sezonin e provimeve të Maturës Shtetërore. Nesër nis me lëndën e Gjuhës së Huaj, për të vazhduar më datë 11 qershor me Gjuhën Shqipe, me Matematikën më 15 qershor dhe 18 qershor, provimi i lëndës me zgjedhje. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com