Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti deklaroi sot se amnistia fiskale e prezantuar nga qeveria do të jetë e plotë dhe se personat që deklarojnë të ardhurat e tyre nuk do të kenë pasoja penale në të ardhmen.
“Sot po diskutojmë për amnisti të plotë fiskale dhe penale, që nuk është bërë asnjëherë në Shqipëri. Më parë kishte amnisti fiskale por jo penale. Nuk falen vetëm detyrimet e papaguara, por hiqet dhe pjesa e dënimit, 7 vite burg që parashikon sot ligji. Ti legalizon lekët dhe nuk dënohesh për këtë”, u shpreh Gjylameti gjatë një interviste në media
ku theksoi se nga kjo amnisti përjashtohen pasuritë e vendosura nga burime të paligjshme të të ardhurave.
“Ende sot kemi një ekonomi informale, për shumë arsye. Një pjesë e mirë e bizneseve kanë punuar me atë që quhet bilanc të dyfishtë. Duke përforcuar institucionet dhe duke amnistuar kemi një vit zero. Ata që deklarojnë nga ky moment e më tutje do të kenë mundësinë të gëzojnë pronën e tyre pa patur një përgjigje të ligjit nesër, nëse vërtetohet që kjo që amnistohet nuk është si pasojë e burimit të paligjshëm të të ardhurave”, tha Gjylameti.
Sipas saj, nga amnistia janë të përjashtuar ata që janë subjekt i Operacionit Forca e Ligjit./atsh