“Qeveria beson se lufta e popullit të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe çlirimtare dhe, si e tillë, do të mbetet si një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së vendit”, deklaroi sot Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Hoti tha se “Qeveria e Republikës së Kosovës, si edhe të gjithë qytetarët e Kosovës, është njoftuar sot nëpërmjet një deklarate për shtyp, se Zyra e Prokurorit Special ka deponuar pranë Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale një aktakuzë ndaj Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.
“Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se askush nuk mund cilësohet fajtor pa vendim përfundimtar të gjykatës. Qeveria e Republikës së Kosovës fton të gjithë qytetarët të tregojnë qetësi”, tha ai.
Ndërsa Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa R. Osmani tha se “në këto momente, Kosovës i duhet maturi, unitet, bashkëpunim e urtësi”.
“I duhet edhe mbrojtje e dinjitetit, integritetit e imazhit shtetëror. Por mbi të gjitha, Kosovës i duhet drejtësi. Drejtësia duhet të kryej punën në mënyrë të pavarur e pa presion. Serbia ende nuk është përgjigjur për krimet e llahtarshme kundër civilëve të pafajshëm në Kosovë. Serbia është shtet gjenocidal. Dhe këtë duhet ta themi sot e çdo ditë, në Kosovë, në SHBA, në Europë e çdo kund në botë”, tha Osmani./KosovaPress//