Loading...

50 pacientë të shtruar në spitalin Infektiv, 8 në terapi intensive dhe 2 të intubuar

Aktualisht në spitalin infektiv po marrin shërbim 50 pacientë, 8 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar. Në vendin tonë janë aktualisht 571 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë.

Marjeta Dervishi, eksperte pranë Institutit të Shëndetit Publik u kërkoi qytetarëve të tregohen të kujdesshëm për shkak se ditët e fundit po vihet re një shtim i rasteve pozitivë me COVID nga bizneset dhe institucionet publike.

“Të nderuar qytetarë, nisur nga fakti se ditët e fundit po vihet re shtim i rasteve ne aktivitete biznesi, institucione publike dhe private, ndërmarrje me shumë punëtorë, etj, i bëjmë apel të gjithëve: Ju lutemi respektoni rregullat. E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike, duke ruajtur higjienën personale, bizneset dhe institucionet duke respektuar protokollet e përcaktuara. Në këto kushte është domosdoshmëri mbajtja e maskës në ambiente publike kur nuk është e mundur të ruhet distanca fizike. Kujtojmë edhe një herë se çdo rast i identifikuar pozitiv, duhet të vetizolohet dhe se shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve”, tha Dervishi.

Ajo theksoi se “virusi është akoma mes nesh dhe për sa kohë nuk ka një vaksinë, qytetarët duhet të përshtaten me normalitetin e ri dhe të përshtasin sjelljen e tyre duke u kujdesur për zbatimin strikt të çdo rregulli të vendosur. Mos i neglizhoni shenjat e sëmundjes. Kontaktoni me mjekun e familjes ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse dyshoni se ju apo një i afërmi juaj është i prekur nga COVID-19″. z.tosk/atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com