Loading...

Tomini apel qytetarëve: Funksionimi i strategjisë së rihapjes varet vetëm nga ju

Deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 898 qytetarë, ndërsa 77% e të prekurve tashmë janë të shëruar.

Dr. Eugena Tomini, eksperte e Institutit të Shëndetit Publik në përditësimin e situatës theksoi se në të gjithë vendin aktualisht janë 173 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Krujë, Shkodër dhe Kamëz.

“Situata në spitale paraqitet e qëndrueshme prej ditësh. Aktualisht në dy spitalet COVID janë të shtruar 19 pacientë dhe vetëm 3 prej tyre janë në terapi intensive. Me pak se 11% e te prekurve aktivë po marrin trajtim në spitalet COVID, pjesa tjetër ndiqet nga mjeku i familjes”, u shpreh Tomini.

Nga fillimi i epidemisë, deri tani, në vendin tonë janë kryer 11769 testime, nga të cilat, 11239 janë testime molekulare dhe 530 janë testime serologjike.

“Rastet e sotme pozitive janë tregues se funksionimi i strategjisë së rihapjes dhe e lehtësimit të masave varet vetëm nga ju. Nëse ju do të tregoheni të përgjegjshëm duke respektuar distancimin fizik, të kombinuar me masat e higjienës respiratore dhe personale, të mos kryeni vizita tek të afërmit për çdo lloj arsye, bizneset të zbatojnë protokollet strikte, do të vijojmë me një situatë epidemiologjike nën kontroll”, u shpreh Tomini.

“Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm të mos neglizhojnë shenjat e sëmundjes COVID-19, ndaj ju lutemi telefoni në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127.
Për informacion në lidhje me COVID-19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40”, përfundoi ajo. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com