Situata epidemiologjike në vendin tonë paraqitet e qëndrueshme ndërsa në tetë bashki si: Durrësi, Hasi, Kavaja, Vlora, Puka, Rrogozhina, Tropoja dhe Mallakastra nuk ka asnjë rast aktiv me COVID-19.
Referuar të dhënave të publikuara sot nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, harta e të shëruarve është zgjeruar në të gjithë vendin. Për këtë arsye, përveç zonave që kanë qenë të paprekura nga COVID 19, është zgjeruar harta e zonave të gjelbra, edhe me ato bashki që momentalisht paraqesin risk më të ulët të transmetimit të infeksionit.
Aktualisht në vendin tonë janë 263 pacientë aktivë me COVID-19 dhe pjesa më e madhe prej tyre po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë, ndërsa momentalisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” janë të shtruar 33 pacientë dhe vetëm 7 prej tyre janë në terapi intensive./atsh