Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Teatri Kombëtar që u shemb nuk mund dhe nuk duhej ruajtur. “Ai duhej shembur shumë e shumë vite më parë”, tha Rama.
Në një intervistë televizive të zhvilluar në ambientet e rikonstruktuara të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Kryeministri Rama theksoi se “ka një kronologji fantastike që për fat të keq nuk e njeh askush, se të gjithë flasin për monument, kulturë, për identitet, traditë, por nuk dinë historinë sesi ka rrjedhur të asaj godine dhe se sa shumë në shumë vite, qysh prej saktësisht vitit 1941 kur është bërë ekspertiza e parë dhe kur shkruhej ‘nevojiten riparime urgjente për tavanin dhe taracën’, e deri vonë është thënë dhe stërthënë se çfarë dëshpërimi është ajo që s’është më”.
“Në këtë aspekt unë jo nuk jam vetëm, përkundrazi, mbase më qëlloi mua të isha i vetmi ta kaloja këtë det në këmbë. Kjo betejë e nisur prej 21 vitesh për të arritur për ta pastruar atë shesh, ndërkohë që nuk kam thënë do rindërtojmë atë atje, por kam thënë diçka të rëndësishme”, u shpreh ai.
Ndërsa duke folur për TKOB, Rama theksoi se “e vërteta është se këtu ishin mundësitë për ta bërë këtë rindërtim”.
“Është kryer një punë spektakolare e cila është shumë më tepër në pjesën e padukshme se në pjesën e dukshme, sepse kjo sallë ka pasur një problem të madh me akustikën dhe siç e shihni përtej mikrofonave këtu ka një akustikë fantastike, me akusticienë të huaj. Ndërkohë në pjesën e mbrapme ka një skenë super teknologjike, që do të bëjë që qoftë trupat tona, talentet tona që shkëlqejnë nëpër botë kur të ngjiten në këtë skenë të ndjehen si në Tokio, Milano, Paris dhe si në çdo teatër që meriton këtë emër në botën e qytetëruar”, tha Rama.
“Ne nuk e kemi përuruar sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, por thjesht kemi ardhur për të ndarë me publikun frutet e një pune të bukur, e një pune të dhunuar me dhjetëra e dhjetëra vite e një pune që u jep më në fund në historinë e këtij vendi dinjitet njerëzve të skenës dhe dinjitet atyre që vijnë për të shijuar ngjarjet në skenë, gjë që nuk e kanë pasur kurrë as ata që ngjiteshin në skenë, dhe as ata që i ndiqnin në kushtet më mizerabël që turpëronin Shqipërinë qoftë këtu, dhe më keq akoma në godinën e saposhembur më në fund, të atij që u quajt gabimisht Teatri Kombëtar”, – tha Rama. /atsh