Loading...

Soreca: Shqipëria, në etapën e fundit të rëndësishme të integrimit në BE

“Është shumë e rëndësishme për ne, Bashkimin Europian të ndihmojmë miqtë tanë në Ballkanin Perëndimor, në Shqipëri, për një arsye të thjeshtë: sepse e ardhmja juaj është me ne, në BE”, deklaroi sot ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, duke përshëndetur koncertin e organizuar me rastin e Ditës së Europës.

Ambasadori tha se “këto nuk janë fjalë, por fakte”. “Në mars ne bëmë një hap shumë të madh pranë këtij objektivi të përbashkët, ku BE-ja vendosi të hapë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, që tani ka hyrë në etapën e fundit të rëndësishme të rrugës së saj drejt integrimit në BE”, tha ai.

Soreca tha se “sot në Ditën e Europës, si asnjëherë tjetër, fatkeqësisht nuk mund të mblidhemi për ta festuar”.

“Kriza e COVID-19 e ka ndryshuar në mënyra që ishin të paimagjinueshme disa javë më parë! Na mungojnë familjet tona, na mungojnë miqtë tanë. Izolimi dhe pasiguritë po vënë në provë durimin dhe qëndrueshmërinë tonë. Jemi në një çast kritik, kur e ardhmja jonë e përbashkët, mbështetet te përgjegjësia jonë individuale. Pandemia në Shqipëri erdhi pas tërmetit, pasojat tragjike të të cilit i vuajnë ende shumë njerëz. Ne e dimë që çdo krizë mund të nxjerrë më të keqen dhe më të mirën te njerëzit dhe kombet”, tha ai.

Ambasadori Soreca u shpreh se “ne mbështesim njëri-tjetrin, mbështesim miqtë tanë dhe Shqipëria është ndër miqtë shumë të rëndësishëm për ne”.

“Dhe për të përballuar situatën me COVID-19, BE ka dhënë tashmë për Shqipërinë 230 milionë euro ndihmë financiare. Pas tërmetit Bashkimi Europian u mobilizua me shpejtësi për Shqipërinë. Së pari me kërkimet dhe shpëtimin, pastaj me ndihma të menjëhershme dhe tani me rindërtimin. Për këtë KE po investon 150 milionë euro, gjithsej BE ka premtuar 400 milionë euro. Do të ndihmojmë rimëkëmbjen ekonomike dhe sociale të vendit”, tha ai./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com