Loading...

Shqipëria mbetet destinacion në kalendarin e operatorëve të njohur ndërkombëtarë pavarësisht pandemisë

Shqipëria është sot një ndër destinacionet që po qëndron në kalendarin e tur-operatorëve të njohur ndërkombëtarë që operojnë në vendin tonë dhe kjo falë masave të shpejta të ndërmarra nga qeveria, të cilat siguruan një numër të ulët të qytetarëve të prekur nga infeksioni COVID-19.

Kryetari i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa në një intervistë për ATSH-në foli mbi sfidat që paraqiten sot përballë sektorit të turizmit në situatën e krijuar prej COVID-19.

Ai deklaroi se disa operatorë kanë mbajtur pjesën më të madhe të klientëve, duke iu ofruar disa lehtësi dhe siguri për pagesën e bërë.

Kreu i UOTSH, shprehet se rezervimet individuale në 90% të tyre janë anuluar, por janë arritur të mbahen pjesa më e madhe e rezervimeve të bëra nëpërmjet operatorëve ose agjencive të udhëtimit, çka është një lajm i mirë dhe jep shpresë se ky sektor mund të rimëkëmbet.

“Siç mund të jeni në dijeni ka dy lloje rezervimesh, që janë individuale ose nëpërmjet operatorëve turistikë. Rezervimet individuale janë 90 % të anuluara, ndërsa për rezervimet e bëra nëpërmjet operatorëve ose agjencive të udhëtimit ka politika të ndryshme nga kompani të ndryshme, që do të thotë se disa operatorë kanë mbajtur pjesën më të madhe të klientëve duke iu ofruar disa lehtësi dhe siguri për pagesën e bërë“, deklaroi Kasa.

Sipas tij, falë masave të shpejta që u ndërmorën dhe rezultateve të arritura, vendi ynë është sërish destinacion, duke ofruar siguri te turistët dhe operatorët që operojnë në këtë sektor.

“Shqipëria, ashtu si dhe vendet e tjera të rajonit, ka marrë të gjitha masat dhe ka miratuar protokolle strikte për sigurinë e turistëve dhe aktualisht është ndër destinacionet që po qëndron në kalendarin e tour-operatorëve të njohur ndërkombëtare që operojnë në vendin tonë“, theksoi Kasa.

Kreu i UOTSH, Kasa bën të ditur se interes më të lartë për të pushuar në vendin tonë paraqesin Vendet Nordike, Polonia, Republika Çeke, Ukraina, Gjermania, Vendet Baltike dhe Zvicra.

Më tej, Kasa thekson se qeveria është konsultuar me oeratorët turistikë sa i përket protokollit që do të zbatohet këtë sezon veror në plazhet tona.

“Draftprotokolli është konsultuar që në fillim me Unionin Turistik Shqiptar”, deklaron Kasa.

I pyetur se a do mund të jenë gati strukturat tona hoteliere për të pritur pushuesit në kushtet e reja në të cilat do të zhvilohet sezoni turistik këtë vit, Kasa thotë se “atualisht 80% e strukturave akomoduese janë gati për të pritur turistët, sipas kritereve të kërkuara nga partnerët, duke respektuar dhe protokollet e vendosura”.

Instituti i Statistikave raportoi në fillim të këtij viti se mbi 6.4 milionë shtetas të huaj vizituan Shqipërinë dhe pjesa më e madhe me qëllim turizmin./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com